Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor kishte bërë të ditur dhe më herët se po rishikohej testi teorik për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit dhe tashmë prej 1 qershorit kushdo që do të japë këtë test do të ketë pyetjet e rifreskuara, të rishikuara dhe të korrigjuara.
Sipas DPSHTRR, testi teorik për leje drejtimin e autoveturave (klasi B), është rishikuar nga grupet e interesit si shoqatat e autoshkollave dhe autoshkollat që nuk janë pjesë e shoqatave, specialistë të fushës, ekspertë dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ku nga 4864 pyetjet që kanë qenë, janë eliminuar 1199 pyetje ngatërrestare dhe janë korrigjuar 1848 pyetje me gabime gramatikore ose kuptimore.
Nga data 1 Qershor, Testi Teorik i ri do përbëhet nga 40 pyetje prej 3665 pyetjeve të mbetura të rishikuara duke synuar të jetë më i kuptueshëm, më korrekt, më praktik dhe objektiv. Ndërkaq, aplikantët mund të testojnë veten online në testim.dpshtrr.gov.al.
