Presidenti i vendit Bajram Begaj ka kërkuar nga organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë rastin e kërcënimit me armë dhe marrjes peng për disa minuta të ekipit të emisionin “Fiks Fare”, si një rast i dhunimit të fjalës së lirë.
“Mësova me keqardhje për kërcënimin me armë, ndalimin dhe dhunimin e ushtruar ndaj grupit të xhirimit të emisionit “Fiks Fare”, gjatë kryerjes së misionit të tyre hulumtues e denoncues në fshatin Nikël të Krujës.
Shpreh indinjatën mbi këtë akt të rëndë të dhunimit të punonjësve të medias, si dhe mbështes emisionin “Fiks Fare” në misionin, guximin dhe profesionalizmin që ka treguar në denoncimin publik të fenomeneve korruptive dhe dukurive që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.
Inkurajoj organet ligjzbatuese ta ndjekin me përgjegjshmëri të lartë këtë rast flagrant të dhunimit të fjalës së lirë. Kërcënimi i jetës së gazetarëve në ushtrimin e detyrës nuk duhet të tolerohet në një shoqëri demokratike”, shkruan presidenti Bajram Begaj.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte dhe një koment epik i ndjekësit i cili e ngatërron me kryeministrin duke shkruar: “Respekt Kryeminister!”.