Presidenti Bajram Begaj, gjatë fjalës në samitin “The Aqaba Process Balkans Forum III”, që u mbajt në Sofje të Bullgarisë, rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë si pjesë e Aleancës Globale dhe e platformave kundër terrorizmit. Begaj theksoi rëndësinë e përgjegjësisë, solidaritetit dhe angazhimit të përbashkët përballë çdo kërcënimi dhe sfide.
”Terrorizmi nuk njeh kufij, kombësi, fe apo përkatësi etnike. Ai është një kërcënim i përbashkët dhe kërkon një përgjigje të përbashkët. Shqipëria është një partner rajonal dhe global i besueshëm, me një kontribut të qenësishëm në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Përballë kërcënimeve që nuk njohin kufij, le të riafirmojmë qëllimin tonë të përbashkët, të veprojmë me vendosmëri dhe mirëkuptim me qëllim që të mbrojmë të drejtat themelore të njeriut për paqe dhe siguri”,-tha Begaj.
Presidenti i njohu pjesëmarrësit në samit me strategjitë e miratuara nga Shqipëria, për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm të cilat ofrojnë një model të qasjes gjithëpërfshirëse, ku futen institucionet shtetërore, shoqëria civile, klerikët dhe komuniteti. Ai e konsideroi histori suksesi përvojën e Shqipërisë në parandalimin e planeve me qëllim aktet terroriste.
”Përmes Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Shqipëria është transformuar në një model ekspertize rajonale. Praktika jonë për parandalimin, rehabilitimin, riintegrimin, risocializimin dhe mosangazhimin është njohur ndërkombëtarisht si praktikë e mirë nga partnerët tanë strategjikë”.
Ai bëri të ditur së këtë përvojë Shqipëria e ka ndarë me vende partnere në rajon dhe në botë. Samitin e nismës së “Aqaba Process” për sigurinë në Ballkan, Presidenti Begaj e vlerësoi si proces angazhimi dhe mundësi për ndërtimin e një qasjeje të integruar dhe proaktive në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.


