Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta janë përballur dje në Gjykatën Kushtetuese sa i takon konfliktit për dekretimin e ministrave. Në vitin 2019, Rama propozoi emërimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, por presidenti e refuzoi me argumentin se nuk ka përvojën e duhur dhe ka mbështetur ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Sipas Këshillit të Ministrave, presidenti ka shkelur Kushtetutën pasi ajo nuk i jep të drejtë të refuzojë propozimet e kryeministrit. Çështja shkoi në gjykatë dhe dje përfaqësuesit ligjorë të Ramës dhe Metës janë përplasur. Përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona u shpreh se presidenti ka cenuar rëndë parlamentarizmin dhe dekretin e ka refuzuar jashtë çdo kompetence që i jep Kushtetuta. Ajo tha se kryeministri nuk e pranoi refuzimin dhe propozoi veten e tij pasi presidenti nuk i kishte lënë asnjë zgjedhje tjetër. Sipas Kokonës, presidenti ka kryer verifikime të cilat nuk janë në kompetencë të tij, por të Kuvendit dhe kështu ka penguar dhe Kuvendin duke i marrë atributet. “Presidenti refuzoi dekretimin jashtë çdo kompetence që i jep Kushtetuta dhe cënoi rëndë parimet e parlamentarizmit. Kërkesa ka si qëllim rregullimin e mosmarrëveshjes së krijuar në rastin konkret. Ekziston një konflikt midis këtyre pushteteve. Presidenti refuzon, kryen verifikime, të cilat nuk janë në kompetencë të tij. Kryeministri nuk pranoi refuzimin, por propozoi veten, për të zgjidhur situatën e krijuar, pasi presidenti nuk la asnjë hapësirë tjetër. Kryerja e verifikimeve për një afat 10 ditor dhe dhënia e një mendimi për kandidatin, janë atribute që i përkasin Kuvendit, por Presidenti i mori këto atribute duke penguar Kuvendin”, tha ajo. E pyetur nga gjykata se si mund të zgjidhet ky konflikt Kokona u shpreh se duhet sqaruar se Kushtetuta përcakton qartë kompetencat ku në rastin konkret neni 98 nuk i jep asnjë atribut ndryshe Presidentit veçse të dekretojë propozimin e ardhur nga Kryeministri. Sipas saj neni nuk i lë hapësirë presidentit të veprojë ndryshe.
Ja diskutimet në seancë
Ndërkohë përfaqësuesi i presidentit Bledar Dervishi u shpreh se nuk ka një konflikt mes kryeministrit dhe presidentit madje as ndonjë çështje për të zgjidhur. Ai u shpreh se teksa presidenti nuk e ka dekretuar Gent Cakajn sipas arsyetimeve të dhëna, kryeministri nuk ka marrë asnjë veprim kundërshtues. Sipas tij nuk pati asnjë reagim shkresor që shpreh kundërshtim me atë çfarë presidenti kishte vendosur. “Presidenti i ka thënë kryeministrit të rishikonte mundësinë e rishikimit të kandidaturës të Cakajt për shkak të arsyeve që janë përmendur dhe në shkresën e refuzimit, menjëherë pas këtij takimi janë dekretuar ministrat, të cilët kishin funksionin e deputetit përveç Cakajt. Ne konstatojmë se tashmë mungon konflikti, mungon mosmarrëveshja dhe nuk ka ndonjë çështje për të zgjidhur. Kryeministri pasi Presidenti ia bëri me dije gjatë takimit të zhvilluar në 4 janar ashtu dhe zyrtarisht me shkresë, arsyet e mospranimit të emërimit të zotit Cakaj nuk ka ndërmarrë ndonjë kat kundërshtues përkundrejt veprimtarisë vendimmarrëse të kreut të shtetit. Dua të përmend që nuk pati asnjë reagim shkresor zyrtar përmes të cilit që shprehen rezerva apo kundërshtime ndaj kreut të shtetit. Kërkesa e kryeministrit në gjykatë është në interes të kontekstit politik. Të tre palët në proces, Kryeministër, President, Kuvend, e kanë shprehur tashmë vullnetin që tregojnë qartë se asnjë mosmarrëveshje e nivelit kushtetues nuk ka lindur dhe realisht nuk ekziston”, tha Dervishi. Ndërkohë Kokona e pyetur nga Dervishi a do të shkelej Kushtetuta nëse presidenti do të dekretonte emërimin e një kandidati që nuk plotësonte kriteret, u shpreh kundër pasi sipas saj dekreti i Presidentit nuk është në çmim të zbatimit të detyrimeve të tjera për aq kohë sa ai nuk e ka atributin vlerësues. Përfaqësuesja e qeverisë u shpreh se në çdo rast Presidenti raportin dhe garancinë kushtetuese ia kalon Kuvendit, por nuk ia merr atributet pasi kështu i bie të marrë atribute dhe të organeve të tjera ligjzbatuese jo vetëm të pushteteve.
