Masimo Selino është prekur nga Covid-19. Lajmin e bën të ditur vetë presidenti i Breshias, i cili tregon edhe itinerarin e lëvizjes së tij dhe mënyrën sesi e ka marrë virusin famëkeq. Ai është i disati personazh i futbollit në Itali, që është prekur nga virusi dhe tani mbetet të kuptohet nëse ka pasur kontakte me lojtarët e Breshias, ku bën pjesë edhe talenti i kombëtares sonë, Emanuele Ndoj.
“Kam qenë në Kaliari për disa ditë, pasi isha karantinuar për tre javë në Breshia. Më pas mora një avion privat për të udhëtuar drejt Sardenjës që të kaloja festën e Pashkëve pranë familjes sime. Pas dy javësh karantinë në Kaliari shkova në shtëpi për të kryer testet. Këto të fundit treguan se vajza ime dhe unë ishim prekur nga Covid-19, ndërsa djali nuk e kishte marrë atë.
Presidenti i klubit të Ndoj tregon edhe për simptomat e para që ka ndierë pas infektimit me koronavirusin, që ka mbërthyer gjithë botën dhe ka gjunjëzuar ekonomitë më të mëdha të globit. “Kam lodhje të tepruar dhe dhimbje të forta në kocka. Kam edhe probleme në mëlçi. Sa për futbollin, më duket absurd fakti që ka akoma debate nëse duhet të luhet apo jo”, përfundoi Selino.
