Maxhoranca do ta zgjedhë e vetme me sa duket Presidentin, pasi 3 raundet e para dështuan dhe nuk pati asnjë kandidaturë të depozituar nga PD-ja. Afati i depozitimit të kandidaturave është ora 12:00 e së shtunës (4 qershor), ndërsa seanca në Kuvend do të mbahet në orën 18:00.
Por a do jetë opozita të shtunën në Parlament?
Deputetja e PD-së, Orjola Pamuri, e ftuar në emisionin “Radari Informativ” në Abc me gazetaren Juli Xhokaxhi u shpreh se për sa kohë procesi vijon të jetë i njëanshëm, nuk do të vazhdohet nga opozita. Ja si u shpreh ajo:
“Kemi qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk kemi bojkotuar asnjë tentativë për të qenë pjesë e bisedimeve për të pasur një President konsensual. Kishim dhe platformë. Presidenti duhet të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar. Sot të gjithë ata që folën për pazare duhet të tërheqin ato deklarata që kanë thënë. Nuk ishte asgjë e vërtetë. Firmat ne nuk i thamë për të pasur një konsensus me PS, por për të qenë figura e Presidentit konsensuale. Ne donim që kjo figurë, e cila vinte nga propozimet e opozitës, të kishte konensusin e maxhorancës.
‘Për aq kohë sa u shkel një pakt, sigurisht që nuk ka arsye të vijojmë procesin. Procesi është i njëanshëm dhe këtë herë nuk ishim pjesë e votimit, nuk ishim pjesë e seancës së djeshme’. /abcnews.al/