Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda u shpreh se ndihet i zhgënjyer për faktin se Bashkimi Europian nuk po përshpejton proicedurën për anëtarësimin e Ukrainës në bllok. Kjo deklaratë e tij vjen pas vendimit që morën liderët e BE-së në një samit në Versajë, ku nuk i ofruan Ukrainës një rrugë të shpejtë për statusin e kandidatit në BE, pas kërkesës së Volodymyr Zelenskiy.
Teksa mbërriti në ditën e dytë të takimit, Presidenti Nauseda tha në fjalën e tij se ai besonte që “mund të bëhej më shumë”, por vendet e tjera anëtare kishin shqetësime të ndryshme midis elektoratit të tyre, të cilave ata duhej t’i përgjigjeshin. Ai u shpreh se është duke pritur që BE-ja t’i kthehet kësaj çështjeje.
“Uroj që Ukraina të marrë statusin e kandidatit tani. Por nuk ishte e mundur të merrej sot. Por me siguri do t’i kthehet kësaj çështje më vonë. Disa vende kanë axhenda të brendshme, opinionin e shoqërisë dhe duhet të kujdesen për këtë. Por mund të bëhej më shumë. Një shije shumë e lehtë zhgënjimi, por ne bëmë gjithashtu një hap shumë të rëndësishëm dhe shkojmë përpara”, deklaroi ai.
