Presidenti Bajram Begaj pritet të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pasi ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni u lëshua një urdhërarrest nën dyshimet se ndihmoi dhe i dha informacione sekrete Ergys Agasit në arrati. Pak orë pasi GJKKO la në fuqi masën arrest në shtëpi ndaj Hysenit, një burim i tha mediave se Presidenca po përgatit njoftimet për anëtarët e Këshillit Kombëtar.
Mbledhja pritet të zhvillohet javën e ardhshme, kur edhe kryeministri Edi Rama të jetë kthyer nga SHBA, ndonëse opozita ka këmbëngulur që Begaj të thërrasë Këshillin, sapo doli lajmi se ndaj Hysenit ishte lëshuar masa e sigurisë arrest në shtëpi. Opozita thotë se është cënuar rëndë siguria kombëtare dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Situatën e krijuar pas arrestimit të Hysenit, presidenti Begaj e diskutoi mesditën e sotme me tre zyrtarë të lartë të çështjes së sigurisë në vend. Ministri i Brendshëm Ervin Demo, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hitadhe drejtori i komanduar vetëm 2 ditë më parë në krye të SHISH, Elvis Lila ishin në Presidencë paraditen e kësaj të enjte.
Vetë zyra e Presidentit njoftoi shkurt takimin, ndërsa për bisedën shkroi vetëm se “në këto takime, Presidenti Begaj u informua dhe diskutoi me ta mbi çështje të aktualitetit”.
SHISH po drejtohet nga drejtuesi i komanduar Lila, ndërsa vetë Rama kur njoftoi shkarkimin e Hysenit, tha se shefin e ri do ta zgjedhin në konsultim me Presidentin.
Masa e arrestit në shtëpi ndaj Hysenit u la sot në fuqi nga GJKKO, e akuzuar për ‘zbulim të të dhënave sekrete’ dhe ‘përkrahje të autorit të krimit’ Ergys Agasit, i akuzuar si kreu i një grupi të strukturuar kriminal.
