Në merkaton e janarit, Juventusi dhe Fiorentina nisën të interesoheshin për mesfushorin polak Simon Zurkovski i cili aktivizohej me Gornik Zabrzen në Poloni. Në fund, fitimtarë ishin violët e Fiorentinës që arritën akordin me futbollistin dhe me klubin, por e lejuan të luante edhe 6 muaj të tjerë në Poloni.
Pak minuta më parë, Zurkovski është prezantuar te Fiorentina duke u shprehur se ishte zgjedhja më e mirë për të dhe se te skuadra violë mund të gjente veten më mirë. Mesfushori 21-vjeçar, u shpreh se ka folur shumë edhe me shokët e skuadrës duke shtuar se i pëlqen Kieza.
“Shokët e mi kanë bërë një karrierë të jashtëzakonshme ndërsa unë jam ende në fillim dhe shpresoj të bëj mirë me fanellën e Fiorentinës. Më pëlqen shumë Kieza pasi është i fortë dhe kam folur edhe me të tjerët këtu. Negociatat përfunduan që në janar, kur kërkohesha edhe nga Juventusi por me menaxherin tim vendosëm për Fiorentinën. Mendoj se është zgjedhja më e mirë për mua dhe këtu mund të gjej veten time”, u shpreh Zurkovski.