Marrëveshja për lirimin e pengjeve është arritur, thuhet në një deklaratë të zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu këtë të premte në mëngjes.
Netanyahu vonoi votimin për miratimin e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, që do të duhej të bëhej enjten, duke akuzuar Hamasin se kërkon ndryshime në minutën e fundit në marrëveshje. Ndërsa, këtë mëngjes, ekipi negociator është shprehur se marrëveshjet janë arritur.
Kabineti i sigurisë do të mblidhet gjatë ditës për të ratifikuar marrëveshjen, përpara se të kërkohet miratimi nga qeveria, ndërkohë që për këto zhvillime janë informuar edhe familjarët e pengjeve, shton zyra e kryeministrit.
Marrëveshja e armëpushimit u njoftua për herë të parë të mërkurën nga ndërmjetësit SHBA dhe Katari.