Rreth 13 mijë lekë në muaj do të jenë të detyruara të paguajnë kompanitë private nëse kanë 49 punonjës të punësuar dhe 1 prej tyre nuk është me aftësi të kufizuara.
Pagesa sa 50 për qind e pagës minimale do të jetë kontributi që biznesi do të japë për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar. Mbështetja për punësimin e personave me aftësi të kufizuara parashikohet në projektligjin “Për nxitjen e punësimit”, i cili u prezantua dje në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale nga ministrja e Financave, Anila Denaj.
Ministrja e Financave tha se të ardhurat do të përdoren për punësimin e kësaj kategorie.
“Në projektligj janë rregulluar dispozitat në lidhje me punësimin e personave me aftësi të kufizuara, që nuk kanë gjetur zbatim në ligjin ekzistues. Përveç mbështetjes me programe nxitje punësimi, përshtatje të arsyeshme, janë rregulluar dhe çështjet e detyrimit për të punësuar persona me aftësi të kufizuara nga punëdhënësit. Në projektligj është parashikuar krijimi i Fondit Social të Punësimit, në formën e një fondi financiar publik që administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit. Burimi i financimit të Fondit do të jetë kontributi i punëdhënësve, të cilët nuk punësojnë 1 person me aftësi të kufizuar për çdo 49 punonjës të punësuar të tyre dhe në këtë rast janë të detyruar të derdhin një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuara, që ai duhet të kishte punësuar (aktualisht, paga minimale në shkallë vendi e miratuar me VKM është 26,000 lekë, pra, kjo masë është 13,000 lekë në muaj). Të ardhurat e mbledhura do të përdoren për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësim dhe riaftësim profesional, orientim dhe këshillim për punësim, shërbime mbështetëse, si dhe përshtatjen e arsyeshme në vende pune të këtyre personave”, tha ministrja Denaj.
Ministrja tha se projektligji ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit dhe vetëpunësimit, si dhe formimit profesional.
“Në këtë projektligj është parashikuar krijimi i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësimin (sot Shërbimi Kombëtar i Punësimit), si një njësi, e cila do të mbledhë në një dhe do të rikonceptojë sipas praktikave më të mira modernizimin e zyrave të punës, sistemin e shërbimeve të punësimit, programet e nxitjes së punësimit dhe ofertën e përmirësimit të aftësive gjatë gjithë ciklit të jetës. Gjithashtu, në projektligj janë parashikuar forma të tjera mbështetjeje, si për ofruesit publikë ashtu dhe për ata privatë për t’u mbështetur financiarisht për kryerjen e kurseve për punëkërkuesit e papunë, për profesione të kërkuara në tregun e punës sipas kërkesave të përcjella pranë zyrave të punësimit”, u shpreh Denaj.