Emrat e të gjithë ish spiunëve të sigurimit që janë zyrtarë do të publikohen online. Kjo është një nga kërkesat e demokratëve përfshirë në Projektrezolutën për Dosjet e Sigurimit, pranuar nga PS dhe miratuar nga Kuvendi. Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2022 të angazhohet në këto drejtime.
“Të intensifikojë punën për deklasifikimin e dosjeve, duke përjashtuar ato që cënojnë sigurinë kombëtare dhe të vijojë me digjitalizimin e tyre. Të publikojë në faqen zyrtare online të Autoritetit, për aq sa lejohet nga kuadri ligjor, listën e individëve që kanë rezultuar si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që janë pjesë e administratës publike”, është kërkesa e demokratëve.
Debati për dosjet e Ish Sigurimit të shtetit ka marrë një dimension të ri pas kërkesës së bërë nga vetë autoriteti për rivlerësimin e politikanëve të cilët janë skanuar më herët nga komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”, të ngritura në vitet 90’. Komisionet të cilat janë akuzuar shpesh për vendime politike.
Kërkesa e autoriteti vjen për shkak të një dosje, ku pjesë e bashkëpuntorëve ka rezultuar shtetasi, zyrtar i lartë I.M, i cili sipas burimeve dyshohet të jetë ish presidenti Ilir Meta. Por për të hapur këtë dosje dhe për të zbuluar implikimin e tij, autoriteti ka kërkuar shfuqizimin e ligjit që nuk lejon kontrollin e politikanëve që më herët janë çertifikuar si jo bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit nga dy komisionet “Bezhani” e Mezini”. Kërkesa e autoritetit të dosjeve nxiti depozitimin në kuvend të katër projektligjeve që lidhen me dosjet e ish sigurimit të shtetit, dy nga opozita dhe dy nga mazhoranca.