Komuniteti i Prokurorëve i është drejtuar me një letër-ankesë anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku i kërkon që të ndalë transferimin e përhershëm të prokurorëve nga Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallëve të Para që përthithen, për efekt ristrukturimi.
KLP ka vendosur transferimin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të prokurorëve të komanduar/transferuar përkohësisht në organe të drejtësisë apo zyra të tjera prokurorie, të ndryshme nga ato ku kanë caktimin e përhershëm, me justifikimin se pozicionet e tyre të përhershme do të suprimohen për shkak të ristrukturimit si pasojë e hartës gjyqësore, që hyn në fuqi më datë 01.05.2023.
Përmes një reagimi publik, komuniteti i prokurorëve shpreh rezerva për këtë vendimmarrje duke theksuar se ky vendim nuk është në përputhje me parimet e ligjshmërisë, barazisë, objektivitetit dhe transparencës në zhvillimin e karrierës së prokurorëve, në kuadër të qasjes së re të kërkuar nga ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi.
“Komuniteti i prokurorëve pret një proces të drejtë të zhvillimit në karrierë, nëpërmjet mekanizmave ligjorë të lëvizjeve paralele dhe rotacioneve periodike, të cilat kanë munguar për një kohë të gjatë në sistemin prokurorial, me arsyet e vakancave të krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar të tyre. Mirëpo, bllokimi nga njëra anë, për një kohë të gjatë, i pozicioneve vakante në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm të konsideruara si zyra karriere (Tiranë, Elbasan, Durrës), si dhe zënia e një pjesë të tyre nëpërmjet procedurave të tilla nga ana tjetër, vendos në pozita të pabarabarta dhe dekurajuese prokurorët, që kanë treguar mirëkuptimin e deritanishëm për këtë situatë, e që kanë krijuar gjithsesi një pritshmëri legjitime për një proces transparent dhe të drejtë të zhvillimit të tyre në karrierë”, thuhet në letër.
Prokurorët kërkojnë më shumë transparancë të shtuar edhe për procese të tjera me rëndësi për organin e akuzës, sikurse janë lëvizjet paralele për pozicionet vakante të shpallura në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, publikimin e prokurorëve që kanë aplikuar për secilin pozicion etj., në mënyrë që edhe ky proces të mos shoqërohet me rezerva të tjera. “Vlerësojmë se nisja sa më shpejt e procedurave të lëvizjeve paralele për të gjithë pozicionet vakante në sistemin prokurorial, në përputhje me ligjin, është domosdoshmëri për sigurimin e zhvillimit të karrierës së prokurorëve. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohej një rotacion i vazhdueshëm dhe i drejtë, sikurse është konceptuar nga Reforma në Drejtësi”, theksojnë prokurorët e Republikës së Shqipërisë.
