Prokuroria e Tiranës ka lëshuar sot, 4 nëntor, tetë masa sigurie për punonjës të FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) si dhe administratorin e një farmacie.
Siç thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës, ata akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Hetimet kanë zbuluar se medikamentet si Foster dhe Trimbow janë përdorur në një skemë fiktive shit-blerjeje për të përfituar nga fondet e rimbursimit të FSDKSH-së. Për këtë skemë janë përdorur edhe disa distributues të krijuar nga vetë administratorët e CFO Pharma.
Mes të përfshirëve janë edhe drejtues dhe punonjës të FSDKSH-së që kanë miratuar kontrata dhe inventarë fiktivë.
Administratori me inicialet F.M. është shpallur në kërkim, ndërsa disa nga punonjësit dhe drejtuesit e Fondit kanë marrë masa të tjera sigurie, përfshirë arrest dhe ndalim daljeje jashtë shtetit.
Hetimi tregon një skemë të organizuar për përfitim të paligjshëm nga fondet publike, duke përfshirë miliona lekë rimbursime të pretenduara për barnat e falsifikuara.
“Në kuadër të hetimeve, rezultoi se personi nën hetim, shtetasi F.M., administrator i subjektit “CFO Pharma”, me veprimet e tij, ka përdorur dy subjektet “Pharma Plus” dhe “Nedix Albania” dhe administratorët e tyre për qëllime përfitimi, duke paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë nga këto subjekte medikamente të cilat “Nedix Albania” dhe “Pharma Plus”, i kanë krijuar në gjendjet e tyre të inventarit në sistemin “edepo” duke falsifikuar inventarin respektiv si dhe faturat e blerjes. Këto veprime kanë lejuar të dy këto subjekte të kenë aftësi për shitjen e medikamenteve “Foster” dhe “Trimbow” te subjekti “CFO Pharma”.
Hetimet nisën pas kallëzimit të shtetasit I.Sh. administrator i subjektit “Medicamenta” që është importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetsor, për rimbursimin e disa barnave. Ai kallëzoi se është në dijeni të faktit se subjekti “CFO Pharma” dhe subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” në bashkëpunim me nëpunës publikë të Fondit të Sigurimeve Shëndetsore kryejnë veprimtari të kundërligjshme që konsiston në veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së produkteve “Foster” dhe “Trimbow” dhe si rrjedhojë e këtyre veprimeve/inventarëve fiktivë përfitojnë nga FSDKSH fonde rimbursime në shuma të konsiderueshme monetare”, njofton Prokuroria.
“Nga të dhënat e publikuara nga Fondi për konsumin e barnave, të dhënat e kallëzuesit të import-it dhe shitjeve, por veçanërisht nga të dhënat në drejtorinë e statistikës pranë Fondit, u konstatua një skemë të organizuar me qëllim përfitimi korruptiv të fondeve të rimbursimit në vlera shumë të mëdha. Në qendër të kësaj skeme të organizuar qëndron distributori farmaceutik “CFO Pharma” në bashkëpunim me zyrtar të FSDKSH”, theksohet në njoftim.
