Dosja hetimore për kapjen e 11.7 kg kokainë në një kontejner me banane disa ditë më parë në portin e Durrësit i ka kaluar Prokurorisë së Posaccme Antikorrupsion.
Prokuroria e Durrësit këtë të premte ka shpallur moskompetencë për dosjen në ngarkim të të pandehurit Barjon Gumeni të cilën tashmë do ta hetojë SPAK.
Ditën e sotme, gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Gumenin i cili rezulton se është aksioner me 10 përqind në kompaninë e eksportit të bananeve.
DROGA E SEKUESTRUAR NË PORTIN E DURRËSIT
Sasia e drogës u zbulua brenda një kontejneri me banane që vinte nga Ekuadori për llogari të një kompanie shqiptare. Lënda narkotike u gjet pas një kontrolli rutinë të Policisë Kufitare. Nga vëzhgimi me skaner rezultoi se kontejneri kishte pësuar modifikime në pjesën e bazamentit. Atje u gjet më pas e fshehur droga e ndarë në 14 pako dhe pas peshimit rezultoi 11 kg e 650 gramë.
Pas zbulimit të lëndës narkotike, Policia ka arrestuar menaxherin e firmës shqiptare që kishte porositur bananet, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i kompanisë. I arrestuari ishte Barjon Gumeni, 34 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi Eduart Dauti, 50 vjeç, administrator (pronar) i kompanisë së tregtimit të bananeve. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe ka ndaluar në 5 porte.
Të njëjtat burime thanë për gazetën “Panorama” se ngarkesa vinte për llogari të kompanisë shqiptare “Alba Exotic fruit”, me seli në Kombinat, Tiranë dhe që operon në treg që nga viti 2011.
