Pas gati një vit shkëputjeje nga televizioni, Luana Vjollca do të rikthehet në ekran me një emision dedikuar lojërave, por kësaj here jo nën logon e “Top Channel”, por të “TV Klan”.
Programi i ri titullohet “Zemër Luana”, promoja e të cilit u publikua ditën e djeshme, ku u zbulua edhe data kur ky program argëtimi nis transmetimin, që është 6 nëntori.
Por, në këtë spot tërheq menjëherë vëmendje imitimi i skenave ikonike të filmit “Legally Blonde”, të risjella pak vite më parë edhe nga Kim Kardashian. Përveç skenave të njëjta, Luana shihet gjithashtu e veshur kokë e këmbë si personazhi kryesor i filmit, Reese Witherpoon, duke mos u përpjekur të risjellë asnjë element të ri. Modeli i flokëve, veshjet, dizajni janë aq të ngjashme, sa nuk lënë vend për krahasim.
Moderatorja Vjollca u largua nga “Top Channel” pas 15 vjetësh. Në media u përfol se shkak u bë projekti “Big Brother VIP”, që në fillim iu besua Luanës, dhe më pas iu dha përfundimisht Arbana Osmanit.
Ikjen nga “Top Channel”, moderatorja e njoftoi përmes një letre publike në “Instagram”, përmes së cilës sqaroi se do t’iu përkushtohej projekteve personale.