Nisur nga shtimi dhe kalimet e paligjshme të shqiptarëve drejt vendeve të BE-së, dhe jo vetëm, bën që Presidenca çeke e Bashkimit Europian të propozojë ndalimin e lëvizjes së lirë në rajon si mënyrë për t`i vënë fre emigracionit të parregullt. Drejtoresha e komunikimit të Partisë Demokratike, Floriana Garo ka kërkuar nga qytetarët shqiptarë të dalin në protestë. Garo u shpreh se PD e dënon me ashpërsi këtë praktikë. ”Partia Demokratike, si forca që liberalizoi vizat i kërkon BE të ushtrojë presion mbi qeverinë Rama që të bëhet menjëherë përputhja e kritereve për viza me Shqipërinë. Lëvizja e lirë është e një rëndësie të jashtëzakonshme, dhe është arritur pas një bllokimi thuajse 70 vjeçar të shqiptarëve”,-tha Garo.
Deklarata e plotë
Çekia, vendi që mban Presidencën e BE deri në fund të vitit, ka kërkuar që Shqipërisë bashkë me Serbinë, t’u kthehet regjimi i vizave. Domethënë që qytetarët shqiptarë të kërkojnë vizë për të lëvizur në Bashkimin Evropian, siç bënin para vitit 2010, kur qeveria Berisha e Partisë Demokratike liberalizoi vizat.
Kërkesa ka ardhur pas vonesave dhe mospajtimit absurd të qeverisë Rama për të mos njësuar kriteret e vizave për shtetasit e vendeve të treta me BE, çka u mundëson nacionaliteteve të ndryshme të përdorin Shqipërinë si portë hyrëse në vendet e Bashkimit Evropian.
Partia Demokratike e dënon me ashpërsi këtë praktikë, që ka të bëjë fund e krye me trafiqe mafioze njerëzore të organizuara dhe pista të korrupsionit. mVendimi e fut Shqipërinë në hartën e vendeve problematike dhe i ekspozon qytetarët shqiptarë ndaj qëndrimeve jodashamirëse në aeroportet e Europës. Politika e portave të shqyera, jo vetëm ushtron trysni mbi sistemin e emigracionit të Bashkimit Europian, por është një risk për sigurinë, si për Shqipërinë ashtu dhe për vendet e BE.
Partia Demokratike, si forca që liberalizoi vizat i kërkon BE të ushtrojë presion mbi qeverinë Rama që të bëhet menjëherë përputhja e kritereve për viza me Shqipërinë.
Lëvizja e lirë është e një rëndësie të jashtëzakonshme, dhe është arritur pas një bllokimi thuajse 70 vjeçar të shqiptarëve. Shqiptarëve u theksojmë se kjo është një tjetër arsye që të ngrihen në protesta. Një qeveri që e kthen mbrapsht orën e Shqipërisë është një rrezik kombëtar.