Kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në protestën para Kryeministrisë, edhe pse kushtet e motit nuk po e favorizojnë, tha se kryeministri Edi Rama kërkon që të vjedhë të ardhmen tonë.
“Sot, secili prej jush është në një mision të madh për veten, fëmijët, kombin e tij. Një mision që do u japë shqiptarëve, Shqipërinë e shekullit të 21-të. Vështirësitë janë të mëdha, por këtë mision e përmbushin studentët, që punojnë paradite në shkollë dhe pasdite nxjerrin disa të ardhura. Në darkë punojnë për të shkruar parullat e kësaj proteste. Këtë mision e përmbushin të rinjtë, demokratë, por edhe socialistë të penduar, të cilët nga koha e tyre, dalin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë thirrjet dhe fletëpalosjet e këtij revolucioni.
Këtë mision e përmbushin nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, që kanë përcjellë me lot fëmijët e tyre jashtë, por janë sot këtu me ne, deri në fund, në emër të tyre, në emër të Shqipërisë. Cili është qëllimi i këtij revolucioni? Është përmbysja e monizmit të bazuar në krimin, drogën, në vjedhjen dhe plaçkitjen e shqiptarëve. Kurrë në histori, një njeri nuk ka vjedhë këtë komb siç e ka vjedhur Edi Rama me organizatën e tij kriminale.
Në një kohë që ju përcillni fëmijët jashtë për kafshatën e gojës, kryeministri shpirtlig, vendos prapa kësaj ndërtese, vazon 4 milionë euro, e mjaftueshme për të blerë ilaçet një muaj të gjithë pensionistët shqiptarë. Në një kohë kur ju, gëzimet familjare, dasmat, ditëlindjet, festat e tjera, mezi i gëzoni se nuk keni para, ky krim-ministër shëtit me avionin e tij në dispozicion me dhomë gjumi, dreko dhe darkon me 10 mijë euro, shpenzon 22 milionë euro me fluturime”.
