Dashamir Shehi e përjashtoi veten nga pjesëmarrja në protestën e thirrur nga Berisha më 11 shkurt për shkak të ndasive që ka si me kreun e Partisë Demokratike dhe atë të Partisë së Lirisë. Në studion e ‘Ditarit’ në A2 CNN, ai theksoi nevojën e adresave të reja politike dhe jo besnik qorr të partisë.
“Unë nëpër tribunë nuk hypi. Nuk ndajmë të njëjtat ide me ta, por gjykoj që çdo njeri e grup politik e shoqëria civile e biznesi duhet të reagojë ndaj kësaj situate. Si qytetar i jam bashkuar të gjitha protestave, si njëri politik nuk ndaj të njëjta ide as me Berishën e as me Metën.
Unë gjykoj që kemi nevojë për adresa të reja politike, nuk riciklojmë vetveten pafundësisht. Këtu kanë ndodh gjëra në çdo kohë edhe në kohën e Metës e Berishës, duhet të largojmë Ramën kjo na bashkon, por nuk duhet të vazhdojmë qorrazi besnik të partisë”, tha ai.
Ai thekson se populli duhet të reagojë ndaj çdo të keqeje në këtë vend, që sipas Shehit këtu është kalcifikuar:
“Protesta është e rëndësishme por nëse ia delegojmë pritshmërinë protestës bëjmë një gabim. Shpresoj që të jetë e madhe për të treguar se populli reagon ndaj së keqes, por këtu po ndodh përditë. Kokainë, pastruese, inceneratorët që nuk merret vesh ku kanë shkuar milionat këtu ndodh përditë nëpunës të lartë sa e kanë zhvleftësuar idenë e skandalit. E keqja është kalcifikuar”.
Rritja e çmimeve edhe kostoja e jetesës sidomos për të varfrit, është një tjetër arsye sipas tij për të protestuar, ndërsa sugjeron dyfishim të pagave për të ndalur largimin e shtresës së mesme dhe të rinjve:
“Populli shqiptar duhet të kishte dalë në rrugë me kohë, kostoja e jetesës për të varfrin është rritur 20% dhe duhet të kishin reaguar. E ka këtë esencë demokratike, nuk e kemi.
Ne shpesh shkojmë pas partisë na mobilizon partia, populli shqiptar duhet të ishte ngritur me kohë për talljen me çmimet, me rrogat që nuk ngrihen prej 10 vitesh. Duhen dyfishuar rrogat e shqiptarëve dhe mund të arrihet brenda një mandati dhe me bashkëpunim nga palët dhe jo për t’i bërë qejfin njërës palë e tjetrës por për të ndaluar largimin e rinisë e shtresës së mesme”.– u shpreh Shehi.