Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se shqiptarët shpëtimin e presin nga Partia Demokratike, ndaj sipas tij kryetarët e degëve duhet të dalin në takime me qytetarët e t’i tregojnë me fakte aferat e Edi Ramës.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi që zhvilloi në selinë e PD-së me kryetarët e degëve të Tiranës.
Berisha tha se shteti që ka ndërtuar Rama është një shtet kashte e droge dhe sipas tij opozita do e përmbysë regjimin e tij.
“Tirana me të madh e të vogël duhet të dalë në shesh më 12 nëntor. Shqiptarët shpëtimin e presin nga ne. Le të thotë ai ç’të dojë. E ka mbushur kupën e duhet të qërohet. Nuk ka kryeministër në botë që qëndron në pushtet kur i dalin skandale si ai i djegësave. Koha i thërret sot demokratët më shumë se kurrë. Të ngrihen e të nisin në 12 betejën e madhe kundër këtij regjimi. Duhet detyrimisht të organizoni takime në çdo bllok, në çdo rrugicë e rrugë, të bisedoni me shqiptarët e të sqaroni çdo njeri që takoni se Shqipëria ka konsumuar fiks 100% të energjisë së prodhuar. Ky luan bixhoz me energjinë e shqiptarëve. Ka blerë energji 2 herë me çmim dyfish më të lartë se në bursën e Eufexit në Hungari. E bën për të vjedhur. Mendon se taksat e qytetarëve janë të tijat. Bleu energji 40 milionë, po ta blinte në bursën e Budapestit e merrte me 20 milion. Me pedagogët sillet si njeri i zhveshur nga çdo lloj morali, si një njeri që i urren shqiptarët. Është një vasal i Aleksandër Vuçiçit”, u shpreh Berisha.
