Fokusi i opozitës tashmë është organizimi i protestës së të shtunës, 16 mars, që do të zhvillohet para kryeministrisë.
Të dielën kreu i PD-së Lulzim basha thiri në selinë blu Kryesinë e PD-së dhe ish deputetët e grupit parlamentar për të diskutuar mbi strategjinë e organizimit të protestës kombëtare të 16 marsit. Burimet bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se kërkesa e Bashës ka qenë për një pjesëmarrje masive në protestë dhe për një tejkalim të protestës së zhvilluar një muaj më parë, më 16 shkurt.
Kryetari i opozitës ka udhëzuar krerët e degëve, anëtarët e Kryesisë dhe ishdeputetët të intensifikojnë kontaktet me bazën dhe të mbajnë gjallë pakënaqësinë gjithnjë e në rritje kundër qeverisë. Në takimet e zhvilluara, Basha ka kujtuar se largimi i Kryeministrit Rama është një emergjencë kombëtare, ndaj edhe është kërkuar mobilizim maksimal.
“Më 16 shkurt kemi zhvilluar protestën më të madhe në Shqipëri pas vitit 1991, të thirrur nga një parti politike. Ajo që duhet të bëjmë ne këtë javë, është që të intensifikojmë takimet dhe kontaktet me qytetarët. Duhet që të mbajmë gjallë frymën antiqeveri, që prej kohësh ekziston në çdo qytet të vendit. Pjesëmarrja në protestën e 16 marsit duhet të jetë më e madhe dhe të tejkalojë protestën e 16 shkurtit. Largimi i Edi Ramës është një emergjencë kombëtare dhe për këtë arsye duhet të bëjmë gjithçka në funksion të aksionit politik dhe protestave. Në vend nuk ka normalitet, për Ramën asnjë minutë qetësi”, mësohet të jetë shprehur Basha.
Kreu i opozitës i kujtoi Kryeministrit Rama se tashmë është i paligjshëm dhe nuk mund të marrë asnjë vendim tjetër. Nga protesta e banorëve të “Astirit” në Tiranë, të cilët kanë hyrë në muajin e pestë të protestës së tyre, Basha kujtoi se Edi Rama mendoi se do të vijonte të vidhte shqiptarët gjithmonë, siç ka bërë në 6 vite pushtet.
“Verdikti është i qartë. Edi Rama, ti nuk merr dot më asnjë vendim tjetër për shqiptarët, ti je i paligjshëm, je po i paligjshëm si kriminelët, me të cilët ke marrë pushtetin. Djegia e mandateve parlamentare të opozitës është vendimi më i ligjshëm, më demokratik dhe më patriotik i ndërmarrë ndonjëherë. Me këtë vendim, ne dolëm në krah të popullit, ne dolëm në krah të njerëzve të thjeshtë, jashtë nga Parlamenti i krimit, Parlamenti i hajdutëve, i cili me veprimtarinë e tij është përgjegjës për gjendjen ku ndodhet vendi. Me këtë vendim, ne kemi ndërmarrë një hap historik, për t’i dhënë fund një regjimi të kalbur deri në rrënjë dhe për të kthyer vendimmarrjen te populli”, tha Basha.
