Avokati i Popullit në një raport për protestën e 16 shkurtit ka dalë në përfundimin se në tërësinë e saj protesta ka qenë paqësore.
Megjithëse dënon aktet e dhunës, pas monitorimit të bërë Avokati i Popullit thotë, se policia nuk ka ushtruar dhunë duke bërë si duhet detyrën.
Deklarata e Avokatit të Popullit
“Në përfundim të monitorimit,
Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar
përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor. Qytetarët kanë
qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të
veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe
të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.
Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e
injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike
si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik janë te
papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe demtojne jo thjesht
pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar
paqësisht.
Gjithsesi, roli i Avokatit të Popullit ka të bëjë me garantimin e sjelljes së
autoriteteve shtetërore në respekt të ligjit dhe të drejtave civile të
qytetarëve. Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se
forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi
protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues.
Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në
protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin
e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që
u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.
Avokati i Popullit, në datë 17/2/2019 u ka drejtuar kërkesa zyrtare
autoriteteve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, për të dhënë
sqarime mbi llojin, sasinë, përqendrimin, përbërjen, dhe prejardhjen e këtyre
lëndëve.
Gjithashtu Avokati i Popullit
ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për
përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e
duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të
përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit
synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe
privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës
së tyre kushtetuese për tubim.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka ndjekur zyrtarisht edhe procedurat e ndalimit
të një numri pjesëmarrësish në tubim nga ana e organeve ligjzbatuese gjatë
orëve të mbrëmjes në vijim. Përfaqësuesit e Institucionit kanë marrë
informacione pranë autoriteteve drejtuese të Policisë së Shtetit dhe u janë
vënë në dispozicion dokumentet shoqërues me anë të të cilave janë kryer këto
arrestime.
Avokati i Popullit ka kërkuar dhe i është lejuar të zhvillojë takime me të 16 qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit pas përfundimit të tubimit.
Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, 15 prej qytetarëve nuk kanë shprehur pretendime për ushtrim dhune apo për shkelje të procedurave standarde të ndjekura nga Policia e Shtetit në ndalimin e tyre.
Në një rast, dhe posaçërisht qytetari F.H. ka raportuar një seri shkeljesh nga ana e Policisë së Shtetit gjatë operacionit për ndalimin e tij, pamje filmike të të cilit janë publikuar edhe në disa media.
Sipas deklarimeve të qytetarit por edhe pamjeve filmike të publikuara në media, një numër i madh forcash policore janë angazhuar për të kryer ndalimin në orët e mbrëmjes në banesën e tij. Sipas Avokatit të Popullit, ky raport kaq i shpërpjesëtuar angazhimi i një numri kaq të lartë anëtarësh të organeve ligjzbatuese për thjesht arrestimin e një qytetari të vetëm, mund të përbëjë një formë demonstrimi të panevojshëm represiviteti.
F.H. ka denoncuar edhe se hyrja e forcave të rendit në mënyrë të dhunshme pa kërkuar më parë as akses normal në mjediset familjare është në shkelje të procedurave standarde. Në mënyrë të veçantë ekspozimi i armëve në brendësi të banesës dhe në prani të fëmijëve të tij të mitur si dhe përdorimi i fjalëve fyese dhe degraduese ndaj tij përbëjnë shkelje të ligjit nga ana e efektivëve që kanë ekzekutuar urdhërin e arrestit. Sipas deklarimeve, bashkëshortja e qytetarit si dhe të dy fëmijët e mitur 12 dhe 5 vjeç kanë pësuar shok psikologjik nga ky manifestim i panevojshëm brutaliteti.
Si nga pyetja e shtetasit F.H. ashtu edhe nga pamjet filmike të bëra publike në media, rezulton se sjellja e efektivëve që kanë ekzekutuar mandatin e arrestit është në kundërshtim me procedurat e ndalimit dhe shoqërimit dhe jo vetem kaq, por gjithashtu rezulton se nga ana e tyre ka edhe pasur ushtrim dhune verbale e fizike.
Pasi është dërguar në
ambientin e shoqërimit të DVP Tiranë, qytetari është vizituar nga mjeku i këtij
institucioni i cili ka rekomanduar që të dërgohet në Spitalin Ushtarak të
Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, sepse sipas atij goditjet në pjesën e
kafkës prapa veshit ishin të rrezikshme për jetën. Pas rekomandimit të mjekut
ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe ka bërë ekzaminimet përkatëse
ndërmjet të cilave skaner, si dhe ka marrë serum. Mbasi ka përfunduar
ekzaminimet është shoqëruar në DVP Tiranë ku Oficeri i Policisë Gjyqësore në
pranë të avokatit të tij i ka komunikuar arrestimin në flagrancë.
Ndërkohë u konstatua se nga mjeku i institucionit të policisë ishte bërë
shënimi në regjistrin e vizitave të personave të arrestuar/ndaluar duke
pasqyruar pretendimet e tij për ushtrim dhune fizike, si dhe konstatimin e hematomave
në pjesën e kokës prapa veshit të djathtë.
Gjithashtu, sipas deklarimeve
të avokatit të qytetarit F.H dhe familjarëve të tij, në banesën e tyre është
kryer edhe një kontroll (i pasuar edhe nga një i dytë në orët e natës), gjë për
të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion justifikues.
Nga ana e Avokatit të Popullit do të vazhdojë kryerja e veprimeve të mëtejshme
hetimore administrative duke pyetur efektivët që kanë bërë shoqërimin e
shtetasit F.H., si dhe të dëshmitarëve të mundshëm që kanë dijeni rreth
pretendimeve të tij, si dhe të dokumentacionit të administruar lidhur me atë
dhe personat e tjerë nga organet e Policisë dhe Prokurorisë Tiranë.
Përtej dhunës verbale dhe fizike të evidentuar në pamjet filmike, raportet
mjekësore dhe kontaktin fizik vizual me shtetasin F.H., verifikimi i
pretendimeve për shkelje të procedurave në ndalimin e këtij shtetasi si dhe i
kryerjes së kontrolleve në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar nga
ligji, cenon rëndë të drejtat e tij kushtetuese.