Policia e Shtetit ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht shtatë të tjerë në lidhje me sulmin ndaj Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, gjatë protestës së zhvilluar më 4 korrik. Ndërkohë, katër persona janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë identifikuar gjithsej 12 persona të dyshuar për përfshirje në aktet e dhunshme ndaj efektivëve të policisë dhe godinës së komisariatit.
Në kuadër të veprimeve procedurale, është ndaluar me iniciativë shtetasi E. H., 33 vjeç. Gjithashtu, në gjendje të lirë janë proceduar penalisht shtetasit me iniciale K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K., ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Për shkak të vijimit të hetimeve, policia nuk ka bërë publike identitetet e tyre.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia bën të ditur se grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në aktet e dhunshme.
Protestat qytetare, të cilat nisën fillimisht në mënyrë paqësore, u përshkallëzuan në përplasje me forcat e policisë. Pas incidenteve pranë Kuvendit, një grup protestuesish u drejtua drejt Komisariatit nr. 3, ku mbaheshin të ndaluar disa pjesëmarrës në protestë. Gjatë sulmit u dëmtua godina e komisariatit, përfshirë edhe zyrat ku punojnë efektivët e policisë.
