Kryetari i PD-së, Sali Berisha, thotë se dhunimi i vlerave evropiane nga qeveria “Rama 3” është absolutisht faktori më themelor i shndërrimit të shqiptarëve për herë të dytë në 30 vite në njerëzit e gomoneve. Këtë Berisha e lidh edhe me protestën e 6 dhjetorit, ku në Tiranë po atë ditë do të mbahet edhe samiti i madh, për herë të parë i BE dhe Ballkanit Perëndimor,
“Ju besoj se i patë statistikat e djeshme të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Shqiptarët tejkalonin me distancë sirianët dhe afganët. Është një rast për të shprehur me dinjitet, me civilitet, zërin tuaj, para lidershipit të BE. Është e martë, është ditë pune, ora 12:00, por sakrifica ia vlen. Unë kam besim se do jenë të pranishëm”, tha Berisha.
Kreu demokrat, gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, nuk nguroi që të ftojë nxënësit e shkollave dhe studentët në protestë. “Ftoj nxënësit e shkollave që atë ditë t’ia kushtojnë të ardhmes së tyre evropiane, ftoj studentët e tyre nga mbarë vendi, të mblidhen në Tiranë. Është një rast unik, i papërsëritshëm, që ne të shprehim mbështetjen tonë të fuqishme për vlerat evropiane. Janë kaq në rrezik në Shqipëri”.
