Nga Mentor Kikia
Pashë një turme të stërmadhe njerëzish që vërshuan në bulevard. Ishin të gjithë bashkë, studentë, punëtorë e të papunë, intelektualë e nëpunës, artistë e studiues. Në duar mbanin pankarta ku shkruhej: “Ndal korrupsionit”, “Oligarkët jashtë qeverisjes”, “Duam demokraci reale”, “Ndal parasë së krimit në politikë”.
Pastaj dëgjova një burrë që hipi në foltore dhe kërkoi që turma e madhe të dëgjonte disa kërkesa:
1-Të shfuqizohet ligji për arsimin e lartë.
2-Të reformohet rrënjësisht sistemi elektoral, duke ndryshuar ligjin e vitit 2008, veçanërisht si më poshtë.
a-të ndryshojë sistemi i listave të mbyllura, që garanton sundimin autoritar të kryetarëve të partive. Sepse, se kush do të jenë deputetë e vendosin ata, e jo ne me votën tonë.
b-të ndalohet financimi i partive nga sipërmarrësit dhe kompanitë. Pasi, oligarkët, me paratë që na zhvasin neve, financojnë partitë në fushata, duke parapaguar aferat e reja.
c-të ulet pragu elektoral për tu dhënë mundësi formacioneve të tjera politike të përfaqësohen në parlament.
d-të mundësohet vota e emigrantëve.
Nëse nuk ndryshohet sistemi zgjedhor, shqiptarët masivisht të bojktojnë zgjedhjet.
3-Deri në zgjedhjet e reja, të ndalohet nënshkrimi i kontratave të reja koncensionare apo PPP-ve, si dhe të pezullohen të gjitha kontratat që nuk kanë nisur të zbatohen.
4-Deri në zgjedhjet e reja të ndalohet pjesamarrja në çdo lloj tenderi, procesi apo operacioni financiar, i çdo lloj kompanie që është themeluar në parajsat fiskale.
5-Të vazhdojë e të mos bllokohet reformimi i sistemit të drejtësisë.
Pas këtyre kërkesave, folësi ftoi protestuesit që, një ditë të mblidheshin para selisë së qeverisë, e një ditë para selisë së PD-së. “Këtu në shesh – tha burri – natë e ditë, derisa ta detyrojmë këtë klasë politike ta çlirojë demokracinë nga kthetrat e interesave të veta dhe të oligarkëve, që konvertojnë pushtetin në para për vete e për politikanët”.
Turma brohoriti dhe aprovoi “po, po, po”.
Por kur u zgjova, atë turmën e stërmadhe, nuk e pashë. As atë burrin që lexonte ato kërkesat. Pashë një djalë me kokore ciklisti në kokë që bërtiste: “tani jemi ne, ne do fitojmë, ne do fitojmë”.
Megjithatë unë i fiksova nga ëndërra ato kërkesat, që mu shfaqën, siç thuhet, si vargjet e Kuranit Profetit Muhamed. Dhe i shkruajta që nesër të mos thuhet: Po mirë, nuk doli dikush të këshillonte ndonjë gjë më të mirë, pa gjynah tërë ajo lëvizje studentore përfundoi me një bojatisje të konvikteve nga jashtë?