Drejt protestës në Tiranë nisen nga PD dhe LSI Berat 110 automjete private.
Kryetari i PD Berat,Gazmend Azizi:”-Denoncoj presionin e madh që po ushtrohet nga policia kundrejt drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve. Janë ngritur postoblloqe policore në aksin nacional drejt Tiranës”
Rreth 110 automjete nga PD dhe LSI janë nisur sot drejt Tiranës, për tu bërë pjesë e protestës së thirrur nga presidenti në mbrojtje të kushtetutës. Nisja e mjeteve private nuk është bërë në mënyrë të organizuar për shkak të frikës së bllokimit të mjeteve nga policia gjatë rrugës. Kryetari i Degës së PD-së Berat, Gazmend Azizi,në një dalje për mediat ka denoncuar edhe veprimet e policisë ditën e sotme.
“Thirrja e presidentit drejtuar qytetarëve shqiptarë për tu bashkuar në protestën e sotme nuk ka ngjyra politike pasi ne sot jemi të gjithë në mbrojtje të kushtetutës,në mbrojtje të të drejtave dhe lirive që i kemi fituar gjatë këtyre 30-viteve me shumë luftë e sakrifica. E drejta për mbrojtjen e pronës,për mbrojtjen e jetës,e drejta për të jetuar e për të gëzuar janë të drejta të mbrojtura me kushtetutë dhe prandaj ne të gjithë duhet ta mbrojmë kushtetutën. Unë si kryetar i Partisë Demokratike,demokratët beratas dhe gjithë qytetarët po i drejtohen Tiranës për tu bërë pjesë e protestës së madhe të thirrur nga presidenti në mbrojtje të kushtetutës. Ne jemi organizuar me autovetura (makina private) pasi pusheti,si ai qëndror dhe pushteti vendor po përdorin forma dhe mënyra nga më të ndryshmet për të penguar lëvizjen e qytetarëve drejt Tiranës,në mbrojtje të kushtetutës”-,ka thënë Azizi.
Ai ka denoncuar edhe presionin e ushtruar nga policia ditën e sotme në rrugët e qytetit. “Dua të denoncoj presionin e madh që është bërë kundrejt të gjithë shoferëve dhe pronarëve të autobuzëve,të cilët nuk kanë pranuar të na shoqërojnë drejt Tiranës,ndaj edhe organizimi drejt protestës është bërë me autovetura dhe mjete të vogla,si e vetmja mundësi për të çuar demokratët beratas drejt Tiranës”-,ka thënë ai.