Mes personave të shoqëruar ishte edhe gazetarja e Citizens.al, Vjolanda Peca, e cila po raportonte protestën. Ajo u dërgua në Komisariatin nr. 1 dhe u lirua pas më shumë se dy orësh.
Sipas informacioneve paraprake, shoqërimi është argumentuar me mungesën e bexhit identifikues të medias. Megjithatë, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë reagoi duke e konsideruar ndalimin e një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës si ndërhyrje serioze në lirinë e medias.
Organizata kërkoi sqarimin e bazës ligjore të shoqërimit dhe theksoi se mungesa e një mjeti identifikimi nuk e justifikon automatikisht privimin nga liria të një gazetari që raporton një ngjarje publike.
Ledi Shamku: U ndaluan Carrie Ann Morgan dhe Elsa Paja
Për shoqërimet reagoi edhe ish-deputetja socialiste Ledi Shamku, e cila njoftoi nëpërmjet një postimi në Facebook se mes personave të ndaluar ndodheshin antropologia gjuhësore Carrie Ann Morgan dhe artistja e ilustruesja Elsa Paja.
Shamku e përshkroi Morganin si kolege, studiuese dhe “shpirt të lirë”, ndërsa për Pajën theksoi angazhimin e saj në mbrojtje të zonës Vjosë–Nartë.
“Mendoj se nga sot, slogani më i gjetur i kësaj proteste është: ‘Po ti, nga cila anë e gardhit je?’”, shkroi Shamku, duke njoftuar se do të shkonte në Komisariatin nr. 3, ku, sipas saj, po mbaheshin dy aktivistet.
Postimi i ish-deputetes përbën denoncim publik, ndërsa statusi juridik i Morganit dhe Pajës, nëse janë të shoqëruara apo të arrestuara ende nuk është konfirmuar nga policia. Në terminologjinë ligjore, shoqërimi për verifikim dhe arrestimi janë masa të ndryshme.
Protesta e së enjtes ishte pjesë e protestave të zhvilluara gjatë javëve të fundit kundër qeverisë. Në të morën pjesë edhe aktivistë të angazhuar në mbrojtjen e zonës Vjosë–Nartë dhe kundërshtimin e projekteve turistike të parashikuara në këtë territor.
