Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar protestat që u zhvilluan dje në disa qytete paralelisht për rritjen e çmimeve.
Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha tha se janë bërë spekulime me çmimin, ndërsa solli në vëmendje Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
“Dua të përcjell një përshëndetje të përzemërt për të gjithë protestuesit në Tiranë, Shkodër, Tepelenë, Durrës, nesër në Korçë dhe në mbarë Shqipërinë. Ndërgjegjja qytetare është zgjuar më fuqishëm se kurrë. Po merr protesta përmasat e një uragani dhe ka mbështetjen më të fuqishme të popullit opozitar. Kauza e saj është kauza më e drejtë, që lidhet me ekzistencën e qytetarëve dhe e familjeve shqiptare të cilat papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i kësaj qeverie i ka shtyrë drejt niveleve të frikshme të varfërisë.
Çmimet e papërballueshme të ushqimeve dhe të naftës janë pa diskutim në backraundin e një lufte që zhvillohej në Europë, por janë të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Ju kujtoj se republika e Maqedonisë që nuk nxjerr asnjë litër naftë, ka pasur çmimin e naftës dje, 1.3 euro, kur në Shqipëri ishte 2.2 euro. Maqedonia hoqi TVSH nga të gjitha ushqimet. Caktoi një bonus për të mbrojtur çdo qytetar nga ky spekulim i madh që po bëhet me çmimet. Kosova nga ana tjetër e cila nuk nxjerr as një ton naftë, kishte një c çmim 1.8 eurosh, por caktoi që dje 50 mln euro për fermerët në mënyrë që ata të mbjellin sa më shumë të lashta, drithëra.”, tha Berisha.
