Pas largimit nga Ministria e Arsimit, protestuesit kanë vijuar marshimin drejt rrugës së Elbasanit, në drejtim të Gjykatës së Apelit, ku situata është përshkallëzuar në akte dhune.
Fillimisht, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të fasadës së institucionit, ndërsa më pas janë drejtuar drejt hyrjes së godinës.
Me forcë, ata kanë arritur të shkatërrojnë derën e hekurt të Gjykatës së Apelit dhe të futen brenda ambienteve të saj. Gjithashtu, është dëmtuar edhe barriera metalike e vendosur për mbrojtje shtesë.
Gjatë incidenteve, protestuesit kanë thyer këndin e njoftimeve, godinën e rojës dhe hyrjen e dedikuar për publikun.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke nisur arrestimet dhe shoqëruar disa të rinj. Gjatë përplasjes, një efektiv policie ka mbetur i lënduar.
Kjo nuk është hera e parë që institucionet e drejtësisë bëhen objekt i akteve të dhunshme gjatë protestave. Dy ditë më parë, u sulmua edhe Gjykata e Lartë, ku u dogj një pjesë e katit të parë të godinës.
