Një gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur brenda makinës që u përdor në sulmin ndaj Top Channel është prova e vetme me të cilën Policia Shkencore synon të bjerë në gjurmët e autorëve.
Këtë të mërkurë kanë përfunduar edhe akt ekspertizat e kryera në policinë shkencore që ndodhet në Sauk. Ka përfunduar ekspertiza ndaj targave të vendosura në automjetin e përdorur nga autorët në sulmin terrorist.
Ka dyshime se provat në targat e djegura pjesërisht, mund të jenë dëmtuar nga zjarrfikësit që shuan flakët në “Përroin e Agait”, aty ku u gjet mjeti tip “Range Rover”.
Për gëzhojën e gjetur në mjet, do të thirren gjashtë ekspertët që kanë qenë në vendngjarje me dyshimin se mos njëri prej tyre ka prekur gëzhojën pa përdorur doreza. Pas kësaj do të krahasohet me të të dhënat që ka policia shkencore. Më pas do t’i dërgohet Europol-it me seli në Lion.
