Partia Socialiste e Partia Demokratike bien dakord të çojnë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhacka.
Në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit të dy palët kanë gjetur konsensus që çështja e Xhaçkës të votohet në parlament në seancën më të parë që i bie në datën 12 shtator.
Socialistja Klotilda Bushka deklaroi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk vihen në diskutim dhe ato zbatohen, ndaj Këshilli duhet ti sugjerojë kryetares së Kuvendit të fusë në rendin e ditës në parlament çështjen e deputetes Xhaçka.
Pas këtij vendimi të Këshillit të Legjislacionit, pritet që parlamenti të votojë pro dërgimit të çështjes së mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Më pas do të jetë kushtetuesja e cila do të vendosë nëse deputetja Olta Xhaçka e ka shkelur apo jo Kushtetutën dhe duhet t’i hiqet apo jo mandati deputetes socialiste.
Pak javë më parë socialistët deklaruan se do të kërkojnë një opinion të specializuar nga Komisioni i Venecias për çështjen e mandatit të një deputeti.
Por sot ata vendosën të tërhiqen nga ky pozicion duke deklaruar se do të votojnë pro dërgimit në Gjykatë të çështjes Xhaçka.