Partia Socialiste pritet që të mbledhë grupin parlamentar më 16 janar. Në agjendë është parashikuar që takimi të nisë në orën 10:00 të mëngjesit me fjalën e kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të selisë rozë, Edi Rama.
Po ashtu është parashikuar që të mbajë nga një fjalë edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Por nuk do të ndalet me kaq. Deputetët e mazhorancës do të dëgjojnë edhe raportet e veprimtarive të Komisioneve Parlamentare. Është parashikuar që secili relator të ketë dhjetë minuta kohë për raportin ndërsa folësit do të kenë jo më shumë se dy minuta për të diskutuar.
Sipas agjendës, kjo do të bëjë që të paktën mbledhja të zgjasë deri rreth orës 13:30. Më pas i është lënë radha konkluzioneve që do të mbyllet në fund fare me fjalën e kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë më 9 janar kryeministri Edi Rama mblodhi ministrat e qeverisë në një takim informal. Në të dyja takimet, fokusi është mbi sfidat dhe punën që e presin qeverinë dhe Partinë Socialiste gjatë këtij viti.
