Partia Socialiste dega Tiranë feston sot 35-vjetorin e themelimit. Në një event në Pallatin e Kongreseve në kryeqytet, qindra socialistë, një pjesë e të cilëve funksionarë të lartë, janë mbledhur për të përkujtuar këtë ditë.
Në nisje të eventit, është pasqyruar një historik i shkurtër i kësaj force politike, që nga koha kur ajo drejtohej nga Fatos Nano, në periudhën kur kryeministri Edi Rama kandidonte për kryetar bashkie dhe deri në ditët e sotme, kur Shqipëria është një hap më pranë anëtarësimit në BE.
Përmes pamjeve të publikuara, është nxjerrë na pah kontrasti dhe ndryshimi rrënjësor që Tirana ka përjetuar gjatë këtyre viteve. Në Tiranën e para vitit 2001, nga pamjet vihet re një mugesë e theksuar e infrastrukturës, prezencë e kaosit dhe mungesë e hapësirave publike. Ndërkohë në Tiranën e pas vitit 2001, kur në krye të bashkisë erdhi Edi Rama, por edhe në Tiranën e sotme, ku në krye të bashkisë qëndron Erion Veliaj, vihet re një qytet modern, me hapësira publike dhe infrastrukturë bashkëkohore.
I pranishëm në eventin për 35 vjetorit të PS, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se vlerëson maksimalisht punën e patronazhistëve të PS.
Duke veçuar Gramoz Ruçin si kryepatronazhistin e PS, Rama tha se ish-kryeparlamentari ka bërë për Partinë Socialiste më shumë se gjithë të tjerët, duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët.
“Nuk dua t’ju mbaj gjatë. Jam këtu për t’ju thënë disa fjalë. Dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili kur u bë deputet i PS, pas disa kohësh tha ‘çfarë misteri është ky me këtë njeri 35 vite fytyrën e ngrysur’. ‘Ky duhet të jetë një profesion më vete’, tha ‘se ne u meruam duke qeshur tha, por nuk na ndjek njeri nga pas siç ndjekin këtë’. 35 vite Facebook jo, Instagram jo, Tik Tok jo e jo. Por që kur ka dalë telefoni celular, asnjë sms s’ka bërë akoma deri tani që flasim. I punon telefoni vetëm në marrje të sms-ve. Intervista në media ka dhënë 3 e gjysmë. Si shpjegohet kjo? Në fakt kjo e ka shpjegimin te telefoni. Sepse askush nga ne nuk ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug. Askush nga ne nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot, që jo vetëm i përgjigjet çdo njeriu, jo me sms, sepse është kuadër i vjetër e thotë ‘mos lër gjurmë’, por me telefon. Ata shkruajnë ai përgjigjet. Por po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, për ngushëllime, për dasma e pagëzime, janë të panumërta. Pra ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot sesi funksion Gramozi me fytyrën e tij të vrenjtur, është në fakt se Gramozi është kryepatronazhisti i PS. Unë çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjithë punën e patronazhistëve”, tha mes të tjerash Rama.
Ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi është vlerësuar me medalje të artë, për kontributin e tij në PS.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Ruçi tha se ishte i bindur se PS do të fitonte edhe mandatin e 5-të qeverisës.
Më tej Ruçi u kërkoi socialistëve të mbështesin vizionin dhe këmbënguljen e kryeministrit Edi Rama për Shqipërinë Europiane.
“Të dashur socialistë të Bashkisë Tiranë, Bashkisë Kamëz, Bashkisë Vorë, Bashkisë Kavajë dhe Bashkisë Rrogozhinë. Unë e kam të vështirë se më erdhi radha të parit të them dy fjalë. Kjo mirënjohje nuk është për mua dhe as për shokët e mi, sepse mirënjohja më e madhe për ne ishte ai besim që na dhanë socialistët ndër vite, për të qenë përfaqësues të tyre. Prandaj mirënjohja ime është për çdo drejtues të PS-së dhe për çdo kryetar organizate. Mirënjohja shkon për drejtuesit e PS sot, për Kryesinë e PS, për Grupin Parlamentar të PS dhe për qeverisjen e PS. Për ne të djeshmit drejtues të PS, është shumë sinjikativ fakti që në këtë 35 vjetor, kur shikojmë PS-së në pikëpamjen numerike, jo vetëm që nuk është rrudhur, por është zmadhuar. Jemi shpresplotë që PS sot është më vitale, më e fortë, më progresive dhe mandati i katërt është pak, ajo sigurisht do të sigurojë edhe mandatin e pestë. Amanet për drejtuesit e rinj të Kryesisë, të Asamblesë Kombëtare, do të kisha 2 gjëra: ‘e para, duajeni anëtarin e thjeshtë të PS, duajeni dhe respektojeni votuesin e PS, gjendjuni atij në gëzime e hidhërime. Nëse nuk ja zgjidhni hallin, qajani. I fundit apel që kam, është mbështesni vizionin e Edi Ramës për Shqipërinë 2030. Mbështesni ambicien e Ramës për integrimin e Shqipërisë në BE. Mbështesni energjitë e Ramës për ta qeverisur Shqipërinë më mirë. Mbështesni përkushtimin dhe këmbënguljen e Ramës. Jam i bindur se duke bërë këto, fitorja e PS në 2029 është e sigurit”, tha mes të tjerash Ruçi.
Me medalje të artë për kontributin në PS u dekorua edhe Rexhep Mejdani, i cili gjatë fjalës së tij tha se shpresonte që nën qeverisjen e PS Shqipëria të ecnte sipas modelit të vendeve nordike.
“Uroj që PS ta çoj Shqipërinë në ato modele që janë në vendet nordike. Një model që edhe senatori amerikan Sanders kërkon ta zhvillojë në Amerikë”, tha mes të tjerash Mejdani.
Medalje të artë iu dha Etem Rukës për kontributin në PS. Gjatë fjalës së tij Ruka vlerësoi punën e Ramës dhe uroi që nën qeverisjen e PS flamuri i Ismail Qemalit të ‘varej’ në Bruksel.
“Shumë faleminderit socialistëve të Tiranës, që patën guximin që në ato vite të vështira të ngrenë një forcë progresiste që e solli Shqipërinë deri këtu ku është sot. Faleminderit Edi Ramës. E keni lodhur shumë. Të gjithë duhet të përpiqemi të mbrojmë fitoret e PS. Uroj që kjo forcë politike të varë flamurin e Ismail Qemalit në Bruksel”, tha Ruka.
Po ashtu, edhe Namik Dokle u vlerësua me medalje të artë, për kontributin e tij në PS. Gjatë fjalës së tij ai tha se kryeministri Edi Rama është njeriu që po dizenjon Shqipërinë dhe po e çon vendin tonë drejt BE-së.
“Kam pasur nderin të drejtoj grupin e parë të PS në Parlament. Kisha 9 profesorë të disa degëve. Duke parë këtë medaljen, pyeta Blendi Klosin ‘kush e ka dizenjuar këtë?’ Dhe më tha kush e kishte dizenjuar. ‘Shumë e bukur’ i thashë, ‘sepse ai që ka dizenjuar Shqipërinë, nuk mund të mos e bënte kaq të bukur edhe këtë’”, tha Dokle.
Medalje të artë iu dha edhe ish-kryeministrit Ylli Bufi, i cili deklaroi gjatë fjalës së tij se PS do të jetë e suksesshme, nëse do të dijë si të forcojë institucionet.
“Sot bashkë me ju, unë dhe shokët e atyre viteve jemi krenar për gjithçka që kemi arritur. Shqiptarët e votuan PS-së qysh kur panë te ajo se mund të jetë alternativë qeverisëse. PS do të jetë e suksesshme, nëse do të dijë si të forcojë institucionet”, tha Bufi.
Me medalje të artë u vlerësua edhe Valentina Leskaj, deputete në 4 legjislatura e kësaj force politike.
“Mirënjohje për të gjithë socialistët, që nuk e tradhtuan kurrë këtë forcë politike. Unë jam optimiste që qytetarët do ta mbështesin PS edhe në të ardhmen. Kur kthejmë kokën pas, vëmë re se PS ka qenë parti progresiste”, tha mes të tjerash Leskaj.
Fatmir Xhafaj i dorëzoi medaljen e artë Besnik Bares, për kontributin e këtij të fundit në PS. Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, Bare deklaroi se ka një diferencë të madhe mes qeverisjeve të PS dhe PD.
“Diferencat mes qeverisjes së PD dhe PS janë rrënjësore. Të rinjtë sot nuk duhet të mendojnë se ky realitet është i mirëqenë. Është dashur shumë punë. Ndërsa ne ndërtojmë, ata shkatërrojnë e përçajnë”, tha Bare.
Blendi Gonxhe i dorëzoi medaljen e artë Hamdi Jupes, për kontributin e tij në Partinë Socialiste. Jupe deklaroi se për 35 vite mban në xhep teserën e PS-së.
“Mbaj prej 35 vitesh teserën e PS në xhep. Ajo teser kishte numrin 52, që do të thotë se isha anëtari i 52 i saj. Ajo teser është bërë si kartë e dytë identiteti për mua. Ka qenë simbol shprese. Ajo kartë tregonte se liria ka qenë e vlerësuar në këtë parti dhe unë do ta përdor atë liri në shërbim të popullit, derisa të jem gjallë”, tha mes të tjerash Jupe.
Erion Braçe i dorëzoi medaljen e artë Anastas Angjelit, për kontributin e këtij të fundit në Partinë Socialiste. Angjeli tha se edhe sot pas 35 vitesh, PS vazhdon të rimarrë forcë për të ecur përpara.
“Kjo sallë mbetet magjike, që edhe sot pas 35 vitesh, rimerr forcë për të ecur gjithmonë përpara nga fitorja në fitore”, tha mes të tjerash Angjeli.
Edhe Maqo Lakrori është dekoruar me medalje të artë, për kontributin e tij në PS. Lakrori deklaroi se forca e PS buron nga drejtësia e kauzës së saj.
“Forca e partisë sonë buron nga drejtësia e kauzës së saj, që është solidariteti njerëzor, shteti social, integrimi me perëndimin dhe zgjidhja e çështjes Kombëtare”, tha mes të tjerash Lakrori.
Gjatë eventit, edhe Halil Lalaj u dekorua me medalje të artë, për kontributin e tij në PS.
Ndërkohë Iris Luarasi i dorëzoi medaljen e artë Musa Ulqinit, për kontributin e tij në PS. Ulqini deklaroi se kontributi më i madh i socialistëve të kryeqytetit ishte ndërtimi i një opozite të re.
“Kontributi më i madh i socialistëve të kryeqytetit, është se ndërtuan një opozitë të re, jo duke u ankuar”, tha mes të tjerash Ulqini.
E pranishme në event ishte edhe drejtuesja politike e PS për qarkun Tiranë, Ogerta Manastirliu, e cila gjatë fjalës së saj tha se PS edhe në vitet më të trazuara, ka parë gjithmonë nga e ardhmja.
“Gëzuar 35 vjetorin të gjithë socialistëve. Sot ne jemi këtu për të kujtuar dhe për të festuar përvjetorin e Partisë Socialiste. 35-vjetorin e saj. Një histori politike, por patjetër, edhe një histori totalisht njerëzore. PS ka parë gjithmonë nga e ardhmja, edhe në vitet më të trazuara, gjithmonë ka ditur të udhëheqë me dinjitet. Njerëzit i kanë besuar PS projektin politik për Shqipërinë Europiane”, tha Manastirliu.
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha gjatë fjalës së tij se sot, falë lidershipit të kryeministrit Edi Rama, Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE.
“Po e nis me një fjali që tha Fatos Nano në 12 qershor 1991, ‘Ne do ta bëjmë këtë vend, askush nuk e bën tjetër’. PS ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet, me institucione funksionale, shërbime europiane, ekonomi që rritet, shoqëri me drejtësi para ligjit dhe shtet me miq e partner ndërkombëtar, me të cilët bashkëpunon me dinjitet në çdo plan. Sot falë lidershipit të Ramës, Shqipëria është më pranë BE-së se kurrë më parë. Investimi i Poëer Holdin në Zvërnec, do e vendosë Shqipërinë në ligën e turizmit botëror”, tha mes të tjerash Balla.
Gjithashtu gjatë ditës së sotme, me medalje të artë për kontributin në PS janë vlerësuar edhe Luan Shahollari, Sahamira Bino. Pas ‘dekorimit’ me medalje të artë të personaliteteve socialistë, festës së 35-vjetorit të PS iu bashkua edhe grupi muzikor ‘West Side Family’, të cilët performuan me një këngë të kënduar vite më parë bashkë me kryeministrin Edi Rama.
