Partia Socialiste nuk do të vonohet më shumë se sa muaji mars për të zgjedhur kandidatët për kryebashkiakë, të cilët do të garojnë për zgjedhjet e 30 qershorit. Një nga diskutimet në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, sot ishte se një pjesë e emrave për kryetarë të bashkive do të mësohen në Kongresin Zgjedhor të partisë, i cili pritet të mbahet më 23 mars 2019.
Ndërkohë ka një tjetër çështje që duhet zgjidhur sepse me ndryshimet e reja në qeveri, të njoftuara nga kryeministri Rama një ditë më parë, mbeten vakant postet drejtuese në dy komisione parlamentare, përkatësisht, Komisionit të Ekonomisë, pas emërimit të Erion Braçes në postin e zv/kryeministrit.
Gjithashtu, përkohësisht pa drejtues mbetet edhe Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, pasi emërimit të Eduard Shalsit në postin e ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, gjithashtu një vend i mbetur bosh, është edhe ai i nënkryetarit të Komisionit të Integrimit, pas emërimit të Bledi Çuçit si ministër i Bujqësisë. Kryetarët e Komisioneve pritet të bëhen publikë në fillim të sesionit të ri parlamentar.