Data e sotme, 9 Maji konsiderohet si Dita e Evropës pasi në 9 Maj 1950 u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si BE, Bashkimi Evropian.
Deklarata e 9 Majit e lexuar nga Ministri i Jashtëm i Francës asokohe, Robert Shcuman shënon zanafillën e unionit. Me anë të saj, ai u bënte thirrje vendeve europiane për të bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut që do të ishte “themeli i parë konkret për një Federatë të ardhshme Evropiane”.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.
Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.
Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si “Dita e Evropës”.
Por 9 maji shënohet në kohën kur Rusia ka hyrë në muajin e tretë të agresionit të saj ushtarak në Ukrainë.
