Situata politike në Kosovë rrezikon të kthehet në një ngërç të madh institucional. Analisti politik nga Kosova, Albinot Maloku tregon edhe arsyet se pse Behgjet Pacolli erdhi në Tiranë
A mund të flasim për një krizë kushtetuese në Kosovë?
Krizën kushtetuese e nxiti ajo politike të cilën e shkaktoi partnerja e Vetëvendosjes: Lidhja Demokratike e Kosovës, me rastin e inicimit të votës së mosbesimit ndaj qeverisë e cila doli nga zgjedhjet e 6 tetorit. Ky akt i kryer nga LDK-ja, (e cila, dorën në zemër, nuk tregoi asnjë dozë ndjeshmërie për situatën në të cilën ndodhej Kosova dhe qytetarët e saj, si pasojë e pandemisë Covid19), tani prodhoi edhe një krizë kushtetuese, e cila thellësisht nuk do të duhej të konsiderohej si e tillë. Kjo, ngase, edhe praktika politike edhe ajo e rendit kushtetues na tregon se kush e ka të drejtën e formimit të qeverisë, si dhe na i jep instruksionet e bollshme se si të veprohet në situata të tilla. Nuk është hera e parë që kemi votim mosbesimi ndaj qeverisë dhe pas çdo situate të njëjte vendi ka shkuar në zgjedhje. Edhe tani do të duhej shkuar në zgjedhje, e assesi të provohet formimi i një qeverie tjetër përmes rrugëve anësore, e ndërsa provohet të interpretohet si: Çdo gjë është në korniza të normales!
Ku gaboi Albin Kurti me koalicionin qeveritar?
Albin Kurti asnjëherë nuk hoqi dorë nga besimi që kishte krijuar ndaj partnerit të vet të koalicionit, pra ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. I kaloi me durim të gjitha fazat e bisedimeve dhe momenteve të lojës së LDK-së përgjatë tërë kohës në fazën para marrëveshjes, ndërsa po diskutohej formimi i qeverisë dhe jo vetëm. Ua rikujtojmë: Para nisjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ishte Albin Kurti që insistonte në një koalicion parazgjedhor me LDK-në, e kjo e fundit, pavarësisht konsultimeve që zhvilloheshin në atë kohë, e shpalli kandidaten e vet për kryeministër. Pastaj, siç e dimë, prapë ndodhi akti i ikjes (së LDK-së). Pra subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet e fundit, i drejtuar nga Isa Mustafa dhe personalitete të tjera që kanë një afërsi me presidentin Hashim Thaçi, maksimalisht janë munduar ta minojnë çdo angazhim të punës së qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Gabimi i këtij të fundit është tek lidhja që krijoi me vetëm një partner qeverisës. Kështu i mbylli të gjitha alternativat tjera, duke besuar se partneriteti i krijuar qeverisës në vend, nuk do të varej më nga nga Lista Serbe.
Si e shikoni rolin e Richard Grenell ne kete proces?
Roli i ambasadorit Grenell, emisar i presidentit Trump në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të gjitha fazat e zhvillimeve politike në Kosovë, ishte mjaft krucial. Përqasja e tij aspak diplomatike, mirëpo konkrete në kërkesat e tij. Me një fjalë e dha efektin e vet…
Si e komentoni perpjekjen e Hashim Thacit per te krijuar qeverine?
Nuk është hera e parë që presidenti Hashim Thaçi e sprovon ndikimin e tij në momentet më të ethshme politike nëpër të cilat kalon vendi, pa hezituar në zgjedhjen e mjeteve apo kompetencave politike. I njëjti ka shfrytëzuar çdo mekanizëm në vend, për t’i luftuar kundërshtarët e tij, pra edhe me çmimin e destabilizimit politik të vendit. Tentimi i Thaçit për të anashkaluar rendin kushtetues e politik si dhe për ta formuar një qeveri të rrugëve anësore në Kosovë, mbi bazën e rezultateve të vjetra zgjedhore, tani ka marrë edhe përmasa të agresivitetit të fjalorit politik. Përpjekja e Thaçit për ta penguar Albin Kurtin në të gjitha rrafshet i ka kaluar limitet politike. Me fjalë të tjera, e tëra është konvertuar në armiqësi. Presidenti Thaçi e ka humbur “kontrollen” dhe nuk po arrin të kuptojë as edhe vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.
E fundit ka të bëjë me çështjen Behgjet Pacolli. Çfarë mund të thoni për tërë procesin e tij?
Pacolli sipas informacioneve të fundit, megjithatë, do të hyjë në Kosovë. Ardhja e tij ka të bëjë me angazhimin e mundshëm në qeverinë e rrugëve anësore. Sipas rregullave të institucioneve relevante shëndetësore, pikë së pari të Ministrisë së Shëndetësisë, ai do të duhej t’i nënshtrohej karantinës. Me fjalë të tjera, ai nuk do të duhej të dallonte nga qytetarët tjerë, mirëpo me aq sa mediet informojnë, ai do të kontrollohet nga mjekët dhe pastaj, pjesa tjetër e historisë vetëkuptohet.