Kina nisi stërvitje të paprecedent ushtarake me zjarr të vërtetë në gjashtë zona që rrethojnë Tajvanin të enjten. Stërvitja ushtarake u bë një ditë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, në Tajvan.
Kina paralajmëroi avionët dhe anijet që t’i shmangin zonat gjatë stërvitjeve, të cilat tha se do të zhvillohen deri të dielën.
Ushtria e Kinës është më e madhja në botë dhe ka 2 milionë trupa. Marina e Pekinit po ashtu ka anije më shumë sesa SHBA-ja, e aq më pak nëse krahasohet me Tajvanin. Por, ushtria kineze është zotuar se do t’iu rezistojë masave detyruese për të vendosur sundimin kinez mbi demokracinë e ishullit vetëqeverisës.
“Do të duhet diplomaci e fortë për të rivendosur një ekuilibër të qëndrueshëm”, tha shkencëtari politik i Universitetit të Stanfordit, Kharis Templeman. “Unë nuk e di se si do të zhvillohet përfundimisht ky konfrontim, por mendoj se do të kemi disa javë të vështira”.
Pse po i ndërmerr Kina këto veprime dhe çfarë shpreson të arrijë?
Kina ka deklaruar gjithnjë e më fort se Tajvani duhet të vihet nën kontrollin e saj me forcë, nëse është e nevojshme dhe në kundërshtim me Uashingtonin dhe mbështetësit e tjerë të demokracisë së ishullit.
Vizita e Pelosit u realizua në një kohë veçanërisht të ndjeshme kur presidenti kinez dhe kreu i forcave të armatosura, Xi Jinping, po përgatitet të kërkojë një mandat të tretë pesëvjeçar si lider i Partisë Komuniste në pushtet.
Xi nuk ka emëruar asnjë pasardhës dhe ai ka akumuluar fuqi të mëdha pavarësisht kritikave për trajtimin ndaj ekonomisë së vendit, pjesërisht si rezultat i qasjes së tij të ashpër ndaj COVID-19 dhe rënies së theksuar në marrëdhëniet me Perëndimin. Xi ka thënë se fati i Tajvanit nuk mund të mbetet i pazgjidhur pafundësisht dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë thënë se Kina mund të kërkojë zgjidhje ushtarake brenda disa viteve të ardhshme.
Kushtetuta e Kinës përfshin Tajvanin në territorin e saj kombëtar dhe ligji i saj kundër shkëputjes i vitit 2005 kërcënon me pushtim, pasi “mundësitë për një ribashkim paqësor të shteren plotësisht”, që do të zbatohej në rastin e një deklarate formale të pavarësisë ose ndërhyrjes së huaj.
Kina këmbëngul që Tajvani të pranojë pretendimin e saj se ishulli është pjesë e Kinës, qeveria e vetme legjitime e së cilës qëndron në Pekin. Përballë kërcënimeve ushtarake të Kinës dhe fushatës së pamëshirshme për të izoluar Tajvanin në mënyrë diplomatike, banorët e ishullit mbështesin në masë të madhe status quo-në e pavarësisë.
Kjo ndjenjë është përforcuar më tej nga shtypja e pamëshirshme e Pekinit ndaj të drejtave politike dhe lirisë së fjalës në Hong Kong, të cilën Kina e ka shpallur prej kohësh si model për qeverisjen e saj të ardhshme të Tajvanit.