Gazetarja e kronikës Klodiana Lala ka zbuluar disa nga arsyet e vrasjes së Aleksandër Sadikaj, i cili u hodh në erë me bombë me telekomandë teksa po lëvizte me makinë në periferi të Tiranës, si dhe Arben Mërkurit, i njohur ndryshe si “Maneci” që u ekzekutua në Sukth.
Lala u shpreh se Sadikaj mund të jetë ekzekutuar për larje hesapesh, ndërkohë që për “Manecin” tha se mund të jetë eliminuar edhe për shkak të informacionit që dispononte për ngjarje të tjera kriminale, pasi sipas saj, ai kishte informacion për vrasjen e Edison Harizajt, ose i njohur ndryshe si “Edison Faqedjeguri”, si dhe për vrasjen e Skerdilajd Konomit.
“Ajo që konsiderohet vrasje e rangut të lartë, janë Konomi apo Xhindi. Mua më shqetëson diçka tjetër, duke parë personazhet shoh që secili ka një specifikë të veçantë. Sadikaj pjesën më të madhe të jetës së tij ka jetuar jashtë vendit, ishte kthyer dhe kishte një pasuri miliona euro. Kishte një automjet luksoz, ai dhe bashkëjetuesja e tij. Qëndronte në vende të monitoruara prej tij. Papritmas bëhet viktimë e një atentati me eksploziv. Personat që bënë vrasjen e Sadikajt arritën edhe ta ekzekutonin, edhe të jepnin mesazhin edhe të krijonin panik te qytetarët. Për momentin që flasim është duke u hetuar pista e trafikut të lëndëve narkotike. Nëse shkojmë në vrasjen e Sukthit “Maneci” nuk ishte një personazh dosido, ishte një peshk i madh. Është ekzekutuar për larje hesapesh, por edhe për ti mbyllur gojën. Ishte një personazh që kishte informacion mbi vrasjen e gjyqtarit Konomi.about:blank
Pse nuk kishte folur deri sot? Sepse ishte sa i përfshirë aq edhe i informuar për grupet kriminale. Ishte një personazh që kishte informacion edhe për vrasjen e Edison Arizajt, njeriu më i fuqishëm i botës së krimit në Vlorë në momentin që u ekzekutua. Dyshohej të ishte një ndër njerëzit që kishte gisht në plagosjen e Plarent Dervishajt. Përveç larjes së hesapeve iu mbyll goja. Maneci mund të pendohej në të ardhmen, mund të dërgonte prapa hekurave bosë të mëdhenj të botës së krimit. Ky rast është mirëfilli krim i organizuar.” tha Klodiana Lala në News24.