Testimet për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit të detyruar 9-vjeçar, si dhe gjimnaze, do të vijojnë edhe përgjatë javës së ardhshme. Të hënën nisin testimet për të gjithë mësuesit e profilit të Biologjisë, të cilët do të garojnë për të siguruar një nga kontratat e lira të punës të raportuara nga institucionet publike të arsimit parauniversitar në vend.
Sipas listës së shpallur tashmë nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit, në garë për këto vende vakante janë 382 kandidatë nga të gjitha rrethet. Testimet për këtë lëndë do të zhvillohen në datat 10, 11 dhe 12 gusht, me disa turne gjatë secilës ditë.
Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e plotë të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të dhënë këtë provim, ku për secilin prej tyre jepet e përcaktuar data dhe orari konkrete se kur duhet të paraqiteni në ambientet e kësaj qendre për të zhvilluar testin. Çka do të thotë se duhet të bëni kujdes e të paraqiteni vetëm në oraret e përcaktuara për ju, pasi nuk mund të jepni provimin në një datë, apo orar tjetër.
Sikundër ka ndodhur edhe me profilet e tjera, edhe mësuesit e lëndës së biologjisë duhet të bëjnë kujdes me respektimin e rregullave të paraqitjes në testim , si dhe zhvillimit të tij, duke respektuar veçanërisht masat e përcaktuara për të shmangur infektimet nga Covid-19. Kështu, në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe në vijim të masave parandaluese, nëpërmjet urdhrave të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, testimet do të zhvillohen duke zbatuar me përpikëri rregullat higjienës dhe distancimit fizik.
Në rregulloren e provimit saktësohet se kandidati që plotëson kushtet për të hyrë në testim duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para orarit zyrtar të fillimit të testimit të informatizuar. Ditën e testimit, duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe kopje të tyre), si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në drejtorinë rajonale të arsimit.
Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar, çka do të thotë se nuk mund të sigurojnë një kontratë pune në arsimin parauniversitar përgjatë këtij viti. Këta kandidatë duhet të presin testimet e vitit që vjen për të konkuruar sërish. Për paraqitjen në qendrat e testimit, kandidatit i ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të testimit, pasi kjo vlerësohet si kriter përjashtimi, i ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e testimit, si dhe i ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të testimit.
Teza e testimit të informatizuar do të ketë në përmbajtje rreth 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave do të vlerësohen me 70 pikë. Testimi do të zgjasë 60 minuta dhe do të zhvillohet me një raund të vetëm. Çka do të thotë se testimi do të fillojë dhe të mbarojë njëkohësisht për të gjithë kandidatët.
Përzgjedhja e fituesve do të bëhet nga pikët e siguruara në testim, si dhe nga vlerësimi i dosjes. “Pikët e siguruara nga vlerësimi i dosjes profesionale, dhe nga testimi i informatizuar përbëjnë rezultatin final të çdo kandidati të përfshirë në këtë garë”, bëjnë me dije ekspertët e arsimit. Kështu, mësuesit që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve të grumbulluara nga vlerësimi i këtyre dy treguesve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend.
Midis kandidatëve që rezultojnë me pikë të barabarta, përparësi ka personi që do të jetë me aftësi të kufizuar. Në rast se nuk ka persona të tillë, vendi i lirë i punë si ofrohet kandidatit që ka marrë pikët më të larta në testimin e informatizuar. Çdo kandidat ka të drejtën e refuzimit deri në pozicionin që preferon. Kandidati fitues paraqitet në institucionin arsimor ku afrohet vendi i lirë i punës menjëherë sapo merr njoftimin. Ai dorëzon drejtorit dokumentin vërtetues të printuar nga sistemi i aplikimit online.