Punishtet tradicionale të glikos në Përmet po tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e specialistëve ndërkombëtarë, të cilët i vlerësojnë si një pasuri të çmuar të trashëgimisë ushqimore shqiptare.
Përfaqësues të organizatës ndërkombëtare Slow Food vizituan qytetin për t’u njohur nga afër me mënyrën tradicionale të përgatitjes së glikos. Vizita u zhvillua në kuadër të një projekti që prej 20 vitesh mbështet ruajtjen dhe promovimin e produkteve autentike në vende të ndryshme të botës.
Francesco Sottile, profesor i asociuar dhe anëtar i Bordit të Slow Food International, tha se qëllimi i projektit është të promovojë njohuritë e prodhuesve artizanalë, të mbrojë biodiversitetin lokal dhe të krijojë ura bashkëpunimi mes komuniteteve.
“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu dhe ndajmë këtë eksperiencë me ju. Ky projekt synon të ruajë traditat që rrezikojnë të humbasin dhe të promovojë biodiversitetin lokal. Kemi pasur fatin të provojmë këto produkte të mrekullueshme dhe të takojmë njerëz po aq të mrekullueshëm. Këtë projekt e zhvillojmë prej 20 vitesh”, u shpreh ai.
Sipas ekspertëve, tradita e përgatitjes së glikos në Përmet është një shembull i ruajtjes së identitetit kulturor dhe gastronomik shqiptar, ndërsa mbështetja e prodhuesve artizanalë mund të shndërrohet në një motor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Vizita e përfaqësuesve të Slow Food përforcon vlerësimin ndërkombëtar për glikon e Përmetit, duke dëshmuar se kjo traditë e veçantë shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë njohje përtej kufijve të vendit.
