Ndarja nga jeta e Ish-Presidentit Bujar Nishani ka tronditur jo vetëm kolegët e tij demokratë, por edhe ata socialistë.
Ka qenë ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila ka shprehur e para ngushëllimet nga radhët e mazhorancës.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo shkruan shkurt: “Pusho në paqe President Nishani! I lehtë dheu!”
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur!
U prehsh ne paqe President Nishani!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Ish-Presidenti Bujar Nishani u nda sot nga jeta në moshën 56-vjeçare. Ai ishte i shtruar në një spital në Gjermani ku po trajtohej pas komplikacioneve që po kalonte si pasojë e koronavirusit.