Vijon me debate të forta mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së, e cila ka nisur që në orën 13:00. Berisha dhe Alibeaj kanë 50 minuta që debatojnë, ky ish-kryeministri i ka kërkuar llogari kryetarit të komanduar se përse e quajti “pushtues”. Berisha mësohet t’i ketë thënë Alibeajt se demokratët që pranojnë atë kryetar partie nuk janë as sa gishtat e njërës dorë.
Ndërkohë, Alibeaj është shprehur Berisha u soll si pushtues me selinë e PD-së, gjë që ka acaruar jo pak ish-kryeministrin, i cili ka kërkuar llogari edhe për kërkesën e Alibeajt ndaj Gjykatës së Apelit për të njohur ndryshimet e Kuvendit të PD në 18 dhjetor 2021, të cilat ndër të tjera përjashtojnë automatikisht nga partia personat e shpallur “non grata”. Ky vendim godet direkt Berishën dhe nëse gjykata e pranon, ai përjashtohet nga PD edhe pse drejtimin e saj e mban Komisioni i Rithemelimit sipas vendimit të mëparshëm të gjykatës që njohu ndryshimet e statutit të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
“Në cilësinë time duhet që ta apeloja vendimin e gjykatës. Unë nuk e kam bërë në titull personal ankimin. Vendimi i gjykatës mendoj se është i paligjshëm, kur të flasë Apeli do e pranoj i pari. Ti pushtove selinë se s’ke kohë. Do të hiqesh si triumfator. Është i paligjshëm. Ai vendim nuk është i formës së prerë“, i tha Alibeaj-Berishës.
