Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka paralajmëruar se në rast se SHBA do të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze të gjatë veprime, atëherë Moska do të reagojë.
“Dorëzimi i armëve të reja në Kiev synon vetëm të ‘zvarritë konfliktin e armatosur për një kohë të gjatë’. Nëse ato furnizohen, ne do të nxjerrim përfundimet e duhura nga kjo dhe do të përdorim armët tona, nga të cilat kemi mjaftueshëm, për të goditur ato objekte”, mësohet të ketë thënë Putin në një intervistë për kanalin televiziv Rossiya-1.
Ukraina ka kërkuar sisteme të avancuara të lëshimit me shumë raketa si M270 dhe M142 HIMARS në mënyrë që të jetë në gjendje të godasë në pjesën e pasme të forcave ruse.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha javën e kaluar se do t’i siguronte Ukrainës sistemin HIMARS pasi u sigurua se nuk do të përdorej për të goditur objektivat brenda Rusisë.
