Janë shtuar ndjeshëm qentë endacakë në qytetin verilindor. 20 mijë banorët e qytetit të Burrelit, në Bashkinë e Matit, shqetësim dite kanë praninë e qenëve të rrugës. Në çdo mjedis publik, në oborret e pallateve, sheshet kryesore, pranë kazanëve të mbetjeve, e kudo tjetër ato qëndrojnë në grupe dhe përbëjnë rrezik serioz për njerëzit, sidomos kur ato lëvizin në orët e natës. Qytetarë të shumtë i janë drejtuar bashkisë dhe kanë kërkuar ndërhyje pasi vihet në rrezik jeta dhe shëndeti i tyre. Muaj më parë këshilli bashkiak dha 600 mijë lekë për një qendër të grumbullimit dhe trajtimit të qenëve të rrugës. Kjo qendër u ngrit dhe funksionoj vetëm pak ditë, ndërkohë tani gjithcka i është lënë spontanitetit. Kur kafshët endacake lëvizin në mjediset publike,sidomos pranë kazanëve të mbetjeve organike përbëjnë rrezik serioz për njerëzit. Janë të shumta rastet kur në urgjencën e spitalit “Xhavit Mara” Burrel janë paraqitur qytetarë të kafshuar nga qentë e rrugës. Jo vetëm kaq, gjatë natës të lehurat dhe lëvizjet e çakorduara të tyre krijojnë zhurma dhe besdi për qytetarët. Sakaq vijojnë akuzat e drejtuesve të Burrelit se qentë grumbullohen nga bashkitë Dibër e Bulqizë dhe lëshohen në territorin e Bashkisë Mat. Vendorët e Matit thonë se kjo realizohet nga dibranët dhe bulqizakët pasi ata janë kundër eleminimit fizik të kafshëve, për shkak të besimit te tyre fetar. Zyrtaret e pushtetit lokal dhe jo vetëm ata kanë konstatuar automjete të mbyllura që shkarkonin qen në afërsi të Burrelit. Është vërejtur po ashtu se qen të shumtë hidhen në rrugën nacionale Burrel-Milot dhe të të shumtën e rasteve ato sulmohen nga ujqërit, të cilët vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm.
Pas dështimit me izolimin e këtyre kafshëve Bashkia Mat nisi zbatimin e një projekti tjetër, me ndihmën e një organizatë jo qeveritare, nga Zvicra. Ajo kishte për qëllim kapjen, sterilizimin, vaksinimin, kastrimin, ushqyerjen dhe regjistrimin e qenëve që popullojnë qytetin e Burrelit. Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, dhe mjekët veterinarë Artenis Limoj e Robin Suering Holleran nënshkruan një marrëveshje mes tyre ku u ra dakort që bashkia të garantojë mosvrasjen e qenëve endacakë në asnjë rrethanë, pushteti lokal të informojë qytetarët për kapjen-sterilizimin-vaksinimin dhe lëshimin e qenëve që ato kanë në pronësi. Sipas marrëveshjes projekti nisi në shkollat e qytetit, duke kërkuar që nxënësit të informonin prindërit për këtë projekt. Të huajt kërkuan që personat që keqtrajtojnë apo vrasin qentë të denoncohen nga bashkia në organet e drejtësisë. Organizata “Jeta Tier und Mensch” siguroi vendorët e Matit se merr përsipër shpenzimet për trajtimin e qenëve, pra, kastrimin, sterilizimin, vaksinimin kundër krimbave si dhe ushqyerjen gjatë përiudhës së trajtimit. Mjekët e ardhur nga Zvicra ranë dakort që ata vetë të merreshin me kapjen, kurimin dhe lëshimin e qenëve. Madje sipas marrëveshjes u krye regjistrimi për çdo qen.
Mirëpo edhe pas këtij “aksioni” qentë e rrugës janë shtuar ndjeshëm në çdo mjedis publik, që nga dera kryesore e Bashkisë Mat dhe deri në lagjet periferike të qytetit verilindor. Frika, paniku dhe shqetësimet që ato krijojnë janë të shumta. Kryetari i Bashkisë Mat, Nezir Rizvani shprehet se nuk mund të përdoren metodat e dikurshme të eleminimit fizik të qenëve pasi shoqatat që merren me mbrojtjen e kafshëve nuk e lejojnë një gjë të tillë. Rizvani gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet lokale kishte premtuar mbajtjen pastër të të gjithë territorit të bashkisë, madje ka deklaruar se askush nuk do të ketë frikë nga qentë endacakë.