Ish deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar amnistinë fiskale të qeverisë si një ‘lavatriçe të madhe të pastrimit të parave’. Tabaku shprehet se amnistia fiskale është një tjetër nisëm e qeverisë për vjedhjen e parave dhe pastrimin e tyre, ndërsa vetë Rama tha se nga kjo amnisti do përfitojnë emigrantët dhe bizneset, por jo politikanë, të dënuarit që janë subjekt i OFL-së, gjyqtarë e prokurorë si dhe zyrtarë të lartë.
Tabaku thotë se 7 vite oligarkët e Ramës vetëm kanë vjedhur duke boshatisur buxhetin që sipas saj nuk përballoi dot as dëmet e tërmetit dhe as paketat financiare në kohën e pandemisë. “Kështu në 7 vjet me radhë, Rama ka vrarë ekonominë ngadalë, ditë pas dite duke rrjepur pak e nga pak lëkurën e shqiptarëve. Duke i gënjyer edhe duke i kërcënuar. Me shpresën se kështu do të jetojë pafundësisht. Shqiptarët nuk e i vlerësojnë ata që përdorin çdo marifet për të futur duart në xhepin e tyre të varfëruar për t’i vjedhur dhe ato pak që kanë kursyer. E pasi të bëjë këtë të gjejë dhe një mënyrë për të kënaqur të inkriminuarit që ka në ushtri duke ua pastruar paratë. Në një anë vjedh taksat e shqiptarëve dhe në krahun tjetër pastron paratë e të inkriminuarve”, tha Tabaku.
