Programi Shkollat e Shekullit 21, nisma më e madhe arsimore e British Council në Ballkanin Perëndimor, u lançua sot në Shqipëri dhe pesë vende të tjera të Ballkanit.
Shkollat e Shekullit 21 është një program ambicioz trevjeçar, i financuar nga Qeveria Britanike, i cili do t’i pajisë mbi një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor, me aftësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit. Ai synon të rrisë brezin e ardhshëm të novatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe të ndërtojë mundësi punësimi.
21st CenturySchools ofron mentorim dhe burime të vlefshme për të ngritur kapacitetet e drejtorëve të shkollave dhe politikëbërësve.
Të gjitha shkollat e arsimit bazë në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi do të pajisen me pajisje micro:bit (mikro-kompjuterë portabël), të cilat do t’u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë aftësi të reja digjitale dhe koduese në një mënyrë zbavitëse dhe ndërvepruese.
Ndërsa shoqëria shqiptare përballet me përfitimet dhe sfidat e nxitura nga teknologjia dhe novacioni, ky program trevjeçar synon t’i përgatisë brezat e rinj me mendësinë dhe aftësitë për profesionet e së ardhmes.
Në Shqipëri, rreth 1,200 shkolla, më shumë se 4,000 mësues dhe rreth 120,000 nxënës, mes moshës 10-15 vjeç, janë përfshirë në program.
Në aktivitetin e lançimit në Tiranë, në shkollën “Niket Dardani”, përfaqësues nga British Council, qeveritë shqiptare dhe britanike si dhe nga institucione të tjera, diskutuan sfidën e pajisjes së nxënësve në Shqipëri dhe nëvendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me aftësitë e së ardhmes.
Sir Alan Duncan, Ministër për Evropën, tha në një mesazh video:
“Në emër të Qeverisë Britanike dhe të British Council, jam shumë i gëzuar që lançojmë programin Shkollat e Shekullit 21 në Ballkanin Perëndimor, sot në përvjetorin e 30 të shpikjes së internetit.
“Po e ndërmarrim diçka të tillë sepse duam ta ndihmojmë rajonin që të bëhet më i begatë dhe i qëndrueshëm. Zhvillimi i aftësive të shekullit të 21 do të ndihmojë në krijimin e brezit të ardhshëm të sipërmarrësve të teknologjisë dhe do të ndihmojë në krijimin e më shumë vendeve të punës. Dhe ashtu si me shpikjen e internetit, këtu e 30 vjet më parë, jam krenar që Mbretëria e Bashkuar po luan një rol themelor edhe në këtë përpjekje.”
Z. Angus Bjarnason, Drejtor i British Council për Shqipërinë
“British Council e nisi këtë program, fillimisht si një projekt pilot gjatë 2017-2018, de jemi shumë të kënaqur me rezultatet dhe reagimet pozitive nga gjithkush që u përfshi. U vu re një rritje e numrit të mësuesve që i dhanë përparësi mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në praktikat mësimore, ndërsa studentët raportuan nivele më të larta të zotësisë në kodim. Çdokush raportoi një rritje të motivimit, punës në grup dhe krijimtarisë në klasë. Mësimi u bë zbavitës. Tani me mbështetjen bujare të Qeverisë Britanike do të jemi në gjendje të shtrijmë këtë program në çdo shkollë të arsimit bazë dhe në çdo komunitet nëpër Ballkanin Perëndimor.
Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, tha:
“Ndërkohë që lëndët tradicionale si letërsia, matematika dhe shkenca kanë marrë vëmendjen themelore në përgatitjen e brezave të rinj për të ardhmen, sot me të njëjtin intensitet dhe përkujdes, po mbështesim aftësitë e së ardhmes. Këto aftësi që kanë të bëjnë me nxitjen e mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit, janë të rëndësishme jo vetëm në nivel të kurrikulës shkollore, por për çdo gjë në jetë.
Politikëbërësit në përgjithësi janë disa hapa pas zhvillimeve teknologjike, duke u munduar kurdoherë të përshtaten. Ndaj i shpreh mirënjohjen British Council që po e zbaton këtë projekt në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.”
Sean Melbourne, i Ngarkuar me Punë, Ambasada Britanike:
“Kualifikimet dhe njohuritë janë të rëndësishme”, por të rinjtë kanë nevojë të pajisen me aftësi që janë të rëndësishme jo vetëm në botën e sotme por edhe në botën ku do të jetojmë dhe punojmë në të ardhmen.
Ministrja e Arsimit të Shqipërisë dhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Britanike panë projektet nga 15 shkollat që morën pjesë në konkursin Shkollat e Shekullit 21. Dy fitues do të përfaqësojnë Shqipërinë në një konkurs rajonal në Beograd në muajin prill, si pjesë e Samitit Digjital të Vendeve të Ballkanit.
Shkollat e Shekullit 21 zhvillohet paralelisht dhe në përputhje me kurrikulën tradicionale për të mbështetur mendimin kritik për brezat e rinj, si domosdoshmëri për t’u përballur me realitetet e së nesërmes.