Qeveria ka propozuar krijimin e një sistemi të ri për krijimin, administrimin dhe përdorimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj në Shqipëri.
Projektligji i miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave synon të garantojë sigurinë e furnizimit me karburante dhe përafrimin e rregullave shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas projektligjit, Shqipëria duhet të krijojë gradualisht rezerva të barasvlershme me të paktën 90 ditë të importeve neto ose 61 ditë të konsumit të brendshëm, duke marrë si referencë sasinë më të madhe.
Për krijimin dhe menaxhimin e këtyre rezervave parashikohet ngritja e Autoritetit për Rezervën e Sigurisë së Naftës, një ent publik në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë. Autoriteti do të ketë kompetencë për blerjen, shitjen, depozitimin dhe vënien në qarkullim të rezervave të sigurisë, vetë ose përmes operatorëve ekonomikë.
Rezervat mund të depozitohen edhe nga operatorë ekonomikë të autorizuar përmes marrëveshjeve kontraktore me Autoritetin. Operatorët do të jenë përgjegjës për ruajtjen, mirëmbajtjen, sigurinë fizike dhe cilësinë e rezervave që mbajnë në depozitat e tyre.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e rezervave specifike për produkte të caktuara, mes tyre benzina, gazoili, karburantet e aviacionit, gazi i lëngëzuar i naftës, mazuti, vajrat lubrifikante dhe bitumi.
Financimi i sistemit do të bëhet përmes disa burimeve, ku përfshihet një tarifë e posaçme për krijimin dhe mbajtjen e rezervës së sigurisë.
Kjo tarifë do të aplikohet mbi produktet energjetike hidrokarbure që i nënshtrohen akcizës, përfshirë edhe karburantin e aviacionit. Nivelin e tarifës do ta përcaktojë Këshilli i Ministrave, ndërsa shuma do të lidhet me nevojat e financimit të rezervave për çdo vit fiskal.
Në rast të ndërprerjes së furnizimit ose të një rritjeje të ndjeshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar, Këshilli i Ministrave mund të vendosë përdorimin e rezervave të sigurisë. Përdorimi i tyre do të bëhet sipas një Plani Kombëtar të Reagimit, i cili do të përcaktojë arsyet, sasitë, afatet dhe kushtet e nxjerrjes së rezervave në treg.
Projektligji parashikon edhe një Regjistër Kombëtar të Rezervave të Sigurisë, ndërsa të dhënat e detajuara për vendndodhjen dhe strukturën e tyre do të trajtohen si konfidenciale. Për shkeljet e detyrimeve parashikohen gjoba nga 2 milionë deri në 10 milionë lekë dhe, në rast përsëritjeje, edhe ndalim i përkohshëm i aktivitetit për depozitimin e rezervave.
