Qeveria shqiptare ka hapur “thesin e dhuratave” këtë fundviti. Ditë më parë Këshilli i Ministrave vendosi të shpërblejë mbi 700 mijë pensionistë me 50 dollarë. Familjet me ndihmë ekonomike do të përfitojnë nga 30 mijë lekë. Nevojat për këtë kategori janë më të mëdha, por qeveria veçoi nga buxheti miliona lekë për t’ju ardhur të ndihmë të moshuarve dhe familjeve në nevojë, që ato të shtojnë dicka më shumë në tryezat e tyre. “Dhurata” të shumta u dhanë për studentët. 50 % më e ulët tarifa e shkollimit për të gjithë studentët. Janë mijëra studentë që përfitojnë nga ky vendim e ekzekutivit. Krahas tarifës zero të shkollimit, nxënësit me rezultate shumë të mira do të marrin nga 10 mijë lekë në muaj. Kujdes i veçantë do të bëhet për studentët me aftësi të kufizuara.
Sakaq miliona lekë do të investohen për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe auditoret e fakulteteve. Nuk kanë mbetur pa dhurata edhe mijera punonjës shqiptarë që deri tani pagën minimale e kishin 24 mijë lekë në muaj. Pas janarit 2019 paga minimale do të jetë 26 mijë lekë. Opozita shqiptare nuk ka kundërshtuar vendimet e qeverisë për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe rritjen e pagës minimale, por ka shprehur rezerva në lidhje me vendimet e qeverisë për studentët. / P. Hasa /