Kryeministri Edi Rama, zv/ kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, prezantuan këtë të enjte paketën e re të rezistencës sociale, në lidhje me krizën energjitike që ka prekur vendin. Në fjalën e tij, Rama tha se paga e re minimale shkon në 34 mijë lekë.
Po ashtu kreu i qeverisë deklaroi se mbi 90 për qind e konsumatorëve familjarë konsumojnë më pak se 800 kwh/orë ndaj deri në këtë fashë nuk do të ketë rritje të çmimit. Ai nënvizoi se ata që konsumojnë mbi këtë fashë do aplikohet çmimi i tregut. Kryeministri tha se bëhet fjalë për një krizë të paparashikueshme dhe nuk dihet kur do i vijë fundi.
“Kriza ka prekur të gjithë botën, Europën dhe Shqipërinë. Dua të jem sa më i përmbledhur se do të kemi kohë e ditë për të shpjeguar. Paketa është konceptuar si një mbështetje afatmesme, jo si një mbështetje e përkohshme, e shtrirë në një, dy apo tre muaj që do të thotë se kemi marrë në konsideratë faktin që kjo krizë është e një natyre të paparashikueshme. Për pensionet, indeksohen zakonisht 1 herë në vit, kjo ndodh në muajin prill. Duke marrë parasysh edhe efektin e inflacionit janë indeksuar edhe këtë vit por për herë të parë do të riindeksohen. Do të riindeksohen të llogaritur me normën e inflacionit që shkon në 6% duke u nisur nga indeksimi i mëparshëm dhe në 9.5% si indeksim tërësor i këtij viti. Kjo do të ndodhë edhe për personat me aftësi të kufizuar që kemi indeksimin e përvitshëm. Bëjmë ndërhyrje me indeksim 7.5% për të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Do të rrisim me 10% ndihmën ekonomike dhe do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike për gratë familjare me 2 fëmijë. Të gjitha gratë që janë në kushtet e papunësiisë, do të marrin një ndihmë ekonomike të dyfishuar”, tha Rama.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se ata që shpenzojnë më shumë se 800 kwh do të paguajnë një tarifë prej 42 lekësh më shumë. Çmimi do të aplikohet 35 lekë për kwh, për çdo kiliovat mbi fashën e caktuar 800 dhe 7 lekë tarifa e transmetimit dhe shpërndarjes. Duke vendosur këtë fashë nga 1 tetori deri në dhjetor të vitit 2023 ministrja u shpreh se do kursejmë 100 milionë euro.
Në prezantimin e paketës së re anti-krizë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tregoi sesa do të rriten pagat në sektorin publik, edhe por sesa do të jetë mburoja sociale për secilën kategori.
-Indeksohen me 6% pensionet, kostoja 2 mld lekë, dhe përfitojnë 674 mijë përfitues
-Rriten me 7% pagat e administratës me kosto 713 mln lekë përfitojnë 41 mijë punonjës
-Pagat e policisë së shtetit rriten me 5560 lekë në muaj për 10800 punonjës
-Pagat e policisë së burgjeve rriten me 10548 lekë në muaj për 3600 punonjës
-Pagat eadministratës rriten me 5000 lekë në muaj për 20 mijë punonjës
-Paga minimale rritet me 7%, shkon në 34 mijë lekë në muaj dhe përfitojnë 200 mijë punonjës