Hoxha i fshatit Llërcë të Komunës së Zhelinës në Prizren, Mazllam Mazllami, ka reaguar lidhur me një video që qarkullonte në internet, teksa ai e quante arnë dhe leckë flamurin kombëtar.
Pas kësaj videoje ka reaguar vetë hoxha, i cili shprehet se është keqkuptuar dhe është bërë zhurmë me diçka që e ka thënë më para.
“Këtu ka një keqkuptim. Kjo video është inçizuar më herët. Flamuri sipas fjalëve të mia është një bezë që në të është e vizatuar Shqiponja. Nuk ishte qëllimi për të përdhosur dhe nënçmuar flamurin, diçka që prindërit tanë e kanë ngritur përpara 110 viteve në Vlorë. Kush jam unë për ta përdhosur një gjë të tillë. Është shumë gabim t’i lexoni gjërat mbrapsht. Leckë u përdor për të treguar një bezë në të cilën është vizatuar flamurin. Edhe unë jam shqiptar. Unë kam dashur të them se ne nuk e adhurojmë flamurin. Është bërë zhurmë gazetareske”, tha ai në Euronews Albania, ndërsa kërkoi falje për deklaratën e bërë.
“Nëse kam gabuar për termin leckë, publikisht kërkoj falje nëse është keqkuptuar, ndërsa si është shkruar bezë, për të treguar materialin. Qëllimi nuk është për nënçmim të flamurit. Unë vetë jam veteran i UÇK të njëjtin flamur e kam pasur pranë vetes”, theksoi hoxhë Mazllami.
